Krasniqi i VV-së: Diplomatët e huaj po e marrin në mbrojtje Listën Serbe

  • A.P /
  • 01 September 2025 - 16:00
Krasniqi i VV-së: Diplomatët e huaj po e marrin në mbrojtje Listën Serbe

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Alban Krasniqi akuzoi ambasadorët e vendeve perëndimore në vend ndërsa kundërshtoi certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ai tha në mbledhjen e sotme të KQZ-së se “Gjykata Supreme vetëm i ka delegjitimu anëtarët e KQZ-së” me vendimin se Lista Serbe duhet të certifikohet.

“Nuk mendoj që shteti duhet me ra në nivelin e këtyre presioneve”, tha ai, ndërsa përmendi “diplomatët e huaj”, që tha se po mundohen ta “legalizojnë” këtë parti.

“Ne nuk mund të presim vendime të gjykatave për secilin person veç e veç”, tha ai.

Krasniqi e quajti “koordinim kriminal të organeve tona të drejtësisë” vendimin e Supremes për ta hedhur poshtë një ankesë të LVV-së lidhur me certifikimin e Listës Serbe.

“I mbuloftë turpi”, tha ai, duke shtuar se ata do të japin “përgjegjësi herdokur”.

Ai tha se Listës Serbe i dolën në mbrojtje diplomatët e huaj “për hesape të tyre të ngushta”.

“Edhe ata fatkeqsisht janë duke u vënë në mbrojtje të organizatave kriminale në vend, për hesape të tyre politike, të ngushta, apo edhe të karrierës politike”, tha ai.

Krasniqi tha se po i bëhet “dëm i madh” procesit zgjedhor të 12 tetorit me certifikimin e Listës Serbe.

“Dëm i rëndë për këto zgjedhje. Ky dëm do të reflektojë edhe në proceset zgjedhore në të cilat Lista Serbe pretendon të garojë”, tha ai.

Edhe anëtari tjetër i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi, pati akuza të ngjashme.


(Kosova Sot Online)