
Rusia po rekruton edhe gra nga burgjet

Po dalin në dritë prova të forta që sugjerojnë se ushtria ruse ka nisur për herë të parë përdorimin e grave në repartet e sulmit në Ukrainë, pas rekrutimit të tyre nga kolonitë penale, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Ky zhvillim lidhet drejtpërdrejt me një krizë të thelluar rekrutimi: sipas të dhënave më të fundit nga buxheti i Kremlinit, në tremujorin e dytë të këtij viti numri i “vullnetarëve” që kanë pranuar të firmosin kontratë me ushtrinë ka rënë me 59% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, një tkurrje prej mbi 50 mijë personash.
Rusët duket se nuk mashtrohen më nga paratë e ofruara për të derdhur gjak në emër të ambicieve gjeopolitike të Putinit.
Ndërkohë, në Donbas kanë nisur të dëgjohen zëra të hapur kritikë brenda vetë radhëve të luftëtarëve rusë me peshë, të cilët po denoncojnë mënyrën sesi Kremlini po menaxhon luftën. Disa prej tyre po kërkojnë një mobilizim total prej 1.5 milionë trupash për të dalë nga bllokada. Brenda vetë Rusisë, situata po tensionohet: dëshmitë dhe videot e radhëve kilometrike nëpër stacionet e karburantit janë shtuar ndjeshëm, pasi dronët ukrainas kanë goditur gjatë korrikut dhe gushtit disa rafineri kyçe që furnizonin 17% të karburantit të brendshëm rus.
(Kosova Sot Online)