Rutte: NATO po punon 'ditë e natë'

  • A.P /
  • 02 September 2025 - 13:41
Rutte: NATO po punon 'ditë e natë'

NATO po punon “ditë e natë” për të parandaluar ndërhyrjet në sistemet e navigimit GPS dhe për të siguruar që raste të tilla të mos përsëriten, deklaroi të martën Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Mark Rutte, pas ndërhyrjes në avionin e Ursula von der Leyen, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Sipas Rutte, NATO i trajton “shumë seriozisht” ndërhyrjet në sinjalet GPS, duke theksuar rëndësinë e sigurisë ajrore dhe mbrojtjes kundër kërcënimeve hibride.

Një ditë më parë, të hënën, Bashkimi Evropian konfirmoi ndërhyrje në sinjalin e GPS gjatë një fluturimi në të cilin ndodhej Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Zyrtarë evropianë theksuan se “autoritetet bullgare dyshojnë se ndërhyrja mund të ketë qenë e shkaktuar nga Rusia”.

Një zëdhënës i BE-së tha se incidenti do të forcojë “angazhimin e palëkundur të bllokut për të rritur kapacitetet mbrojtëse dhe mbështetjen për Ukrainën” përballë agresionit rus.

Qeveria e Bullgarisë njoftoi se sinjali GPS u humb ndërsa avioni që transportonte Von der Leyen po i afrohej qytetit jugor të Plovdivit, duke detyruar kontrollorët e trafikut ajror të përdorin sisteme tokësore navigimi për të siguruar një ulje të sigurt.

Ngjarja u bë publike pas një raporti të Financial Times, ku thuhej se një “sulm rus përmes ndërhyrjeve” kishte çaktivizuar shërbimet GPS në një aeroport bullgar, duke detyruar pilotin e avionit që mbante Von der Leyen të ulte mjetin duke përdorur harta të printuara.

“GPS-i në zonën e aeroportit u fik”, tha një zyrtar për Financial Times. Pas një qëndrimi rreth një ore në ajër pranë aeroportit, piloti vendosi të bëjë uljen manualisht, duke u mbështetur në mjete jo-dixhitale për navigim. “Ndërhyrja ishte e padiskutueshme”, shtoi ai.

Një zëdhënës i BE-së konfirmoi se “avioni i Von der Leyen u ul në mënyrë të sigurt në destinacionin e planifikuar”, ndërsa theksoi se një hetim i plotë mbi incidentin është në zhvillim.

(Kosova Sot Online)