Hoti: Albin Kurti për raste korruptive s’paraqitet

  • A.P /
  • 03 September 2025 - 11:42
Hoti: Albin Kurti për raste korruptive s’paraqitet

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, është deklaruar lidhur me paraqitjen e Albin Kurtit sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku është mbajtur seanca ndaj Faton Klinakut  dhe Nuredin Selmanit, të cilët akuzohen nga Prokuroria Themelore e Prishtinës se e kanë kërcënuar Kurtin përmes rrjeteve sociale më 30 gusht të vitit 2023, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Hoti ka thënë se Kurti paraqitet pa asnjë problem duke u viktimizuar në seanca për një rast të dyshuar kërcënimi ndaj tij. Por, ka theksuar deputeti i LDK-së, Kurti s’paraqitet kur ftohet nga organet e drejtësisë për të dëshmuar në një rast të dyshuar korruptiv.

‘‘Ky nuk është Kryeministri që i duhet Kosovës’’, ka thënë ai.

Postimi:

Zyrën e Kryeministrit e mban në mënyrë joligjore. Për këtë ekziston aktgjykimi i organit më të lartë të drejtësisë – Gjykatës Supreme, e cila qartësisht konstaton se anëtarët e Qeverisë në detyrë që mbajnë njëkohësisht edhe pozitën e deputetit janë në shkelje ligjore.

Kur ftohet nga organet e drejtësisë për të dëshmuar në një rast të dyshuar korruptiv, ai nuk paraqitet. Në vend të kësaj, i fyen dhe i përçmon zyrtarët e drejtësisë, duke e diskredituar shtetin në sytë e qytetarëve dhe të aleatëve.

Por, kur organet e drejtësisë e thërrasin për një rast të dyshuar kërcënimi ndaj tij, ai paraqitet aty pa asnjë problem, duke u viktimizuar.

Ky nuk është Kryeministri që i duhet Kosovës.

(Kosova Sot Online)