Mosmarrëveshjet për pronën çuan në vrasjen e mërgimtarit

  • A.P /
  • 03 September 2025 - 15:30
Mosmarrëveshjet për pronën çuan në vrasjen e mërgimtarit

Fatos Cenaj, 58-vjeçari shqiptar dhe ish-gardian, humbi jetën pas një pritë të planifikuar nga fqinji i tij italian më 8 qershor. Sipas mediave italiane, përfshirja e fqinjit në këtë akt lidhet me debate të shpeshta mbi kufijtë e pronës dhe mosmarrëveshje të vogla që u tensionuan me kalimin e kohës, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Sipas raportimeve të TG Padova, i dyshuari është italian, punëtor në një fabrikë lokale, dhe nuk ka lidhje me hakmarrje të mëparshme. Hetuesit besojnë se mëngjesin e 8 qershorit, ai e priti Cenajn pranë fermës Dindo, ku ky i fundit punonte. Kur Cenaj po kalonte me triçikletën e tij, i dyshuari qëlloi me armë zjarri, duke e goditur nga pas dhe duke e lënë të pa ndjenja. Cenaj vdiq disa ditë më vonë në spital.

Autoritetet italiane, përkatësisht Karabinierët e Parmës, kanë nisur hetimet. I dyshuari është nën trajtim në Qendrën e Shëndetit Mendor ULSS 6 dhe aktualisht është i lirë, ndërsa priten rezultatet e analizave balistike që do të hedhin më shumë dritë mbi ngjarjen. Pas vdekjes së Cenajt, familja e tij u largua nga zona për shkak të frikës.

(Kosova Sot Online)