Ja çfarë thuhet në dosjen e Prokurorisë për policin e Njësisë Speciale

  • A.P /
  • 05 September 2025 - 07:27
Ja çfarë thuhet në dosjen e Prokurorisë për policin e Njësisë Speciale

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar caktimin e paraburgimit për policin e Njësisë Speciale, Murat Latifin, për shkak të dyshimit të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe disa veprave tjera penale, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Në kërkesën e Prokurorisë bëhet e ditur se Latifi kishte ndihmuar një të pandehur të largohej nga Policia pasi i njëjti ishte në kërkim.

“Ekziston dyshimi se me datë 02 shtator 2025 në fshatin Ropicë të Vushtrrisë, i pandehuri me dashje e duke e shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar si zyrtar policor, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe personin tjetër, shkon tek shtëpia e të pandehurit K.M., dhe e merr dhe e largon nga shtëpia duke shkuar në drejtim të Prishtinës”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

“Po ashtu, me datë 18 qershor 2025 i pandehuri M.L., kontaktohet përmes telefonit nga i pandehuri K.M., i cili e vëren një dron mbi shtëpinë e tij dhe e pyet të pandehurin M.L., se a është duke u hetuar nga policia, i dyshuari – zyrtar policor e informon se në rast kur ai është duke u hetuar ose të ketë veprime tjera do ta njoftojë”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Ndaj Latifit gjithashtu ekziston dyshimi për kryerjen e veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Ai dyshohet se ka përdorur armën e tij duke shtënë brenda lokalit shtatë – tetë here, si dhe një ditë tjetër shihet duke shtënë tre herë.

“I pandehuri M.L., në shtëpinë e tij në Vushtrri ka mbajtur një sasi të fishekëve, si dhe në një lokal nate i njëjti përdor armën e tij duke shtënë brenda lokalit shtatë – tetë here, si dhe një ditë tjetër shihet duke shtënë tre herë, pamje këto të publikuara nëpër rrjete sociale, të gjitha këto veprime në kundërshtim me Ligjin mbi armët. Të pandehurit, gjatë bastisjes së mbrëmshme në shtëpinë dhe veturën e tij, i janë sekuestruar dy telefona dhe fishekë”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

(Kosova Sot Online)