I riu nga Kosova dyshohet se e qëlloi mësuesen me thikë

  • A.P /
  • 05 September 2025 - 12:46
I riu nga Kosova dyshohet se e qëlloi mësuesen me thikë

Pas ngjarjes tronditëse të ndodhur mëngjesin e sotëm në një shkollë profesionale në qytetin e Essen-it, ku një mësuese u godit me thikë nga një nxënës, autoritetet gjermane kanë dhënë informacion të ri lidhur me incidentin,  transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Sipas burimeve të gazetës BILD, sulmuesi – një 18-vjeçar me origjinë nga Kosova – është qëlluar nga policia disa kilometra larg vendit të ngjarjes, pasi u përpoq të sulmonte edhe forcat speciale të ndërhyrjes së shpejtë (SEK). I riu ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është intubuar nga ekipet e urgjencës.

Mësuesja e plagosur rëndë në stomak është dërguar menjëherë në spitalin universitar, ku sipas të dhënave më të fundit, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ajo u sulmua brenda ambienteve të shkollës, në zonën e njohur si Bildungspark në Nordviertel të Essen-it.

Pas sulmit, brenda shkollës ka shpërthyer paniku. Disa dhjetëra nxënës janë vetë-mbyllur në klasat e tyre duke ndjekur protokollet e alarmit për sulm të armatosur. Ndërkohë, dhjetëra të tjerë janë trajtuar nga ekipet mjekësore për gjendje shoku, pasi ishin dëshmitarë të drejtpërdrejtë të sulmit ose ndihmuan në ofrimin e ndihmës së parë për viktimën.

(Kosova Sot Online)