
Ky është vendimi që e liroi para kohe nga burgu Ragip Gilën

Ragip Gila, autor i masakrës me dy të vdekur në Shkodër, ishtë person i njohur për policinë. Gila ishte dënuar në 2023 për kryerjen e veprës penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, më 5 vjet burg. Nga ulja e 1/3 së dënimit, 29-vjeçari u dënua përfundimisht më 3 vjet dhe 4 muaj burgim.
Por qëndrimi i Gilës në burg nuk zgjati shumë. Ai u lirua nga qelia, më 18 gusht të vitit të kaluar me vendim të gjykatësit Albert Keraj. I riu u lirua me kusht që gjatë kohës së 5 viteve provë të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mos shoqërohet me persona të dënuar dhe të mos zotërojë, mbajë apo përdorë armë.
Por krejt e kundërta u dëshmua paraditen e sotme, kur ai u fut brenda lokalit në qendër të Shkodrës dhe qëlloi një breshëri plumbash, nga të cilat gjeti vdekjen e menjëhershme Amarildo Pali dhe më vonë ndërroi jetë në spital, Liridon Kraja. Motivet që çuan Gilën drejt krimit pritet të zbardhen gjatë dëshmisë së tij.
VENDIMI I PLOTË:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Ragip Jonuz Gila për kryerjen e veprës penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, parashikuar nga neni 283, paragrafi i parë i KP.
Në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.
Në zbatim të nenit 406 të KPP, dënimi prej 5 (pesë) vjet burgim ulet me 1/3 e tij, duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Ragip Jonuz Gila me 3 (tre) vjet e 4 (katër) muaj burgim.
Në zbatim të nenit 59 të KP urdhërohet:
pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim.
vënia në provë të të pandehurit Ragip Jonuz Gila për një periudhë kohe prej 5 (pesë) vjet, me kusht që gjatë kohës së provës ai të mos kryejë vepër tjetër penale
gjatë kohës së provës, i pandehuri Ragip Jonuz Gila të mbajë kontakte me Degën Territoriale të Shërbimit të Provës Shkodër.
Në zbatim të nenit 59/6 dhe 102 të KP, urdhërohet i pandehuri Ragip Jonuz Gila të mos shoqërohet me persona të dënuar dhe të mos zotërojë, mbajë apo përdorë armë.
Referuar nenit 261/1/b dhe 389 të KPP, deklarohet shuarja e masës së sigurimit ndaj të pandehurit Ragip Jonuz Gila, caktuar me vendimin nr. 746, datë 18.08.2024 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Urdhërohet menjëherë heqja e masës ndaj të pandehurit Ragip Jonuz Gila dhe urdhërohet lirimi i menjëhershëm i tij nga dhomat e paraburgimit, nëse nuk mbahet për ndonjë arsye tjetër.
Një kopje e këtij vendimi, pasi të ketë marrë formë të prerë, i dërgohet Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër dhe Degës Territoriale të Shërbimit të Provës Shkodër për të kontrolluar e verifikuar respektimin e detyrimeve të dhëna me këtë vendim nga i pandehuri.
Shpenzimet procedurale gjatë hetimeve paraprake dhe ato gjyqësore të parapaguara nga shteti lihen në ngarkim të të pandehurit.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
U shpall sot në Shkodër, në datën 04.03.2025.
Gjyqtar
(ALBERT KERAJ)
(Kosova Sot Online)