Uji nga Liqeni i Badocit i papijshëm

  • A.P /
  • 09 September 2025 - 07:05
Uji nga Liqeni i Badocit i papijshëm

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se uji i pijshëm nga Liqeni i Badocit vazhdon të jetë i papijshëm për shkak të pranisë së lartë të manganit, duke apeluar që qytetarët të mos e konsumojnë atë deri në një njoftim të ri, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

IKSH ka bërë të ditur se analizat laboratorike të ditëve të fundit kanë treguar vlera të manganit që tejkalojnë kufirin e lejuar në ujin e pijshëm nga Liqeni i Badocit.

“Analizat laboratorike të realizuara në ditët e fundit rezultojnë me vlera të manganit të cilat tejkalojnë kufirin e lejuar të përqendrimit të manganit prej 0.05 mg/l sipas Udhëzimit Administrativ Nr. 10/2021 për ‘Cilësinë e Ujit për Konsum nga Njeriu’, dhe gjithashtu tejkalojnë standardin shëndetësor prej 0.3-0.4 mg/l mbi të cilin konsiderohet se mund të ketë ndikim në shëndet”, thuhet në njoftim.

Instituti ka apeluar tek qytetarët që furnizohen nga Fabrika e Ujit në Liqenin e Badocit që të mos e përdorin ujin për pije deri në një njoftim të ri.

“Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të popullatës, IKSHPK apelon tek qytetarët që furnizohen nga Fabrika e Ujit në Liqenin e Badocit që të mos e përdorin ujin për pije deri në njoftimin e radhës”, theksohet në reagim.

IKSHPK po ashtu ka kërkuar që qytetarët të përcjellin komunikatat nga KRU “Prishtina” për zonat, emrat e rrugëve dhe oraret e furnizimit me ujë të pijshëm nga autobotet.

(Kosova Sot Online)