KQZ u është kundërpërgjigjur akuzave të bëra nga Lista Serbe

  • A.P /
  • 09 September 2025 - 10:10
KQZ u është kundërpërgjigjur akuzave të bëra nga Lista Serbe

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u është kundërpërgjigjur akuzave të bëra nga Lista Serbe lidhur me përbërjen e këshillave të vendvotimeve dhe për listën e votuesve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Më herët gjatë 8 shtatorit, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve që gëzon mbështetjen e Beogradit – e akuzoi KQZ-në për “manipulim politik” për shkak të përbërjes, siç tha “të pabarabartë” të këshillave të vendvotimeve për numërimin e votave për zgjedhjet lokale.

“KQZ sqaron se vendimi për përcaktimin e formulës për përbërjen e këshillave të vendvotimit që do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve, është i mbështetur në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe rregulloret zgjedhore. Në këtë proces zgjedhor, ashtu si në të kaluarën, KQZ ka ndjekur edhe parimin e gjithëpërfshirjes, duke krijuar hapësirë përfaqësimi edhe për subjektet e reja politike, si iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur. Përgjigjet e detajuara për formulën e përbërjes së këshillave të vendvotimit, KQZ do t’i dërgojë brenda afatit në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa [PZAP]”, u tha në reagimin e KQZ-së.

(Kosova Sot Online)