
Kallas: Hyrja e dronëve rusë në Poloni ishte e qëllimshme

“Mbrëmë në Poloni, pamë shkeljen më serioze të hapësirës ajrore evropiane nga Rusia që nga fillimi i luftës, dhe indikacionet sugjerojnë se ishte e qëllimshme, jo aksidentale”. Kështu ka shkruar mëngjesin e sotëm, përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas në X, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Sipas saj, lufta ruse po përshkallëzohet, nuk po mbaron.
|Ne duhet të rrisim kostot për Moskën, të forcojmë mbështetjen për Ukrainën dhe të investojmë në mbrojtjen evropiane. BE-ja luan një rol të madh dhe ne do të mbështesim iniciativa të tilla si linja mbrojtëse e Mburojës së Kufirit Lindor”, tha Kallas në rrjetin X.
Ajo shtoi se ishte në kontakt me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe Ministrin e Jashtëm polak, Radek Sikorski.
Autoritetet polake thanë më herët këtë mëngjes se dronë rusë kishin hyrë në hapësirën ajrore polake dhe se Forcat Ajrore Polake kishin përdorur armë për t’i rrëzuar ato.
Ushtria polake tha se hyrja e dronëve në hapësirën ajrore të vendit gjatë sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës ishte një “akt agresioni” që kërcënoi sigurinë publike dhe kërkoi rrëzimin e objekteve.
Kryeministri polak Donald Tusk tha se Varshava e kishte informuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për veprimet që Polonia kishte ndërmarrë kundër dronëve rusë dhe se operacioni kundër dronëve ishte ende në vazhdim.
(Kosova Sot Online)