Salianji: Sistemi i drejtësisë prodhon padrejtësi!

  • A.P /
  • 10 September 2025 - 14:45
Salianji: Sistemi i drejtësisë prodhon padrejtësi!

Ish-deputeti Ervin Salianji ka reaguar ashpër pas ngjarjes së rëndë kriminale që ndodhi mëngjesin e sotëm në Shkodër, ku dy persona humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosën.

Salianji e lidh këtë tragjedi direkt me dështimin e qeverisë në sigurimin e jetës dhe drejtësisë për qytetarët:
“Kjo ngjarje tragjike nuk është një rast i izoluar. Ajo tregon fytyrën e një qeverie që përdor çdo mjet për të mbajtur pushtetin, duke krijuar një sistem drejtësie që prodhon padrejtësi. Kriminelë të rrezikshëm lirohen, ndërsa qytetarë të zakonshëm përballen me dënime të padrejta për shkelje të vogla.”

Salianji thekson se krimineli i sotëm, i kapur me drogë, jelek antiplumb dhe armë, kishte kryer burg për thuajse një vit dhe u lirua nga gjykatat, ndërsa mijëra qytetarë të tjerë përballen me burgime për veprime minimale. Ai e cilëson këtë si një shenjë të qartë të drejtësisë së kapur nga politika.

“Kjo është fytyra e një qeverisjeje që nuk mbron jetën e qytetarëve dhe nuk garanton siguri. Shqipëria ka nevojë urgjente për drejtësi të vërtetë, që të garantojë barazi para ligjit për të gjithë,” shtoi Salianji , duke publikuar edhe pjesë nga dosja e kriminelit si dëshmi të dështimeve të qeverisë.

Postimi i plotë:

Ngjarja tragjike e sotme në Shkodër, me dy jetë të humbura dhe të plagosur qytetarë që dalin të sigurojnë jetën me punë është një dhimbje e madhe për familjet e viktimave dhe për gjithë qytetin. U shpreh ngushëllimet më të sinqerta të afërmve dhe shpresoj shërim të shpejtë për të plagosurit.

Kjo tragjedi nuk është vetëm një rast i izoluar dhune, por pasojë e një qeverie që përdor gjithçka për të siguruar vota për pushtet, duke prodhuar një sistem drejtësie që prodhon padrejtësi.

Krimineli i sotëm është  kapur me 1.3 kg drogë, jelekë antiplumb, maska silikoni,  foto me armë në rrjete dhe ka bërë thuajse një vit burg për tu liruar më pas nga  gjykatat, ndërsa qytetarët mbeten të pambrojtur, mijëra qytetarë popullojnë burgjet sot për disa gramë kanabis, mijëra të tjerë janë rrasur në burg se kanë suvatuar apo ndërtuar avlli apo stalla pa leje, e qindra të tjerë nuk dinë as pse dënohen vetëm se nuk kanë fuqi politike.

E kam provuar vetë se si në të njëjtën kohë që kriminelë të rrezikshëm lirohen u dënova se denoncova këtë kategori të lidhur me qeverinë! 

Kjo është fytyra e një qeverisje me drejtësi të kapur, që nuk mbron jetën dhe sigurinë e qytetarëve. Shqipëria ka nevojë urgjente për një drejtësi të vërtetë, që të garantojë siguri dhe barazi para ligjit për të gjithë.
Lexoni vetë vetëm një pjesë nga dosja e paraqitur në gjykatë!

(Kosova Sot Online)