Edi Rama prezanton kabinetin e ri qeveritar

  • A.P /
  • 11 September 2025 - 14:08
Edi Rama prezanton kabinetin e ri qeveritar

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka prezantuar kabinetin e tij të ri qeveritar për mandatin e katërt. Shtatë ministra nga kabineti i mëparshëm janë larguar, ndërsa janë emëruar shtatë emra të rinj që do të drejtojnë disa prej ministrive kryesore të vendit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Një nga ndryshimet më të rëndësishme është emërimi i Albana Koçiut, për herë të parë grua në krye të Ministrisë së Brendshme, duke zëvendësuar Ervin Hoxhën.

Belinda Balluku mbetet në postin e zv/kryeministres dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa Elisa Spiropali emërohet ministre e Ministrisë së Jashtme, duke zëvendësuar Igli Hasanin. Po ashtu, Blendi Gonxhe do të drejtojë Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, e cila është bashkuar në një ministri të vetme.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është emërimi i Evis Salaj si ministre e Shëndetësisë. Mirela Kumbaro largohet nga posti i ministres se Turizmit dhe Mjedisit, dhe kalon në Ministrinë e Arsimit, ndërsa Sofjan Jaupaj, merr drejtimin e Ministrisë së Mjedisit.

Në një hap tjetër inovativ, për herë të parë në qeverinë Rama, do të jetë një ministër me Inteligjencë Artificiale. Diella, një anëtare jo fizike, do të udhëheqë Ministrinë e Prokurimeve Publike, duke sjellë një dimension të ri për teknologjinë dhe prokurimet në administratën shtetërore.

Ulsi Manja lë postin e ministrit të Drejtësisë dhe emërohet Besfort Lamallari si pasues në këtë pozicion. Po ashtu, Pirro Vengu do të mbetet ministër i Mbrojtjes, ndërsa Andis Salla, kryebashkiaku i Cërrikut, do të drejtojë Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

QEVERIA RAMA 4 

Belinda Balluku – Zv/Kryeministre dhe ministre e Energjisë e Infrastrukturës (Rikonfirmohet në detyrë)

Albana Koçiu – Ministria e Punëve të Brendshme (Ishte në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, zëvendëson Ervin Hoxhën)

Elisa Spiropali -Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (Vjen nga drejtimi i Kuvendit dhe zëvendëson Igli Hasanin)

Petrit Malaj – Ministria e Financave (Rikonfirmohet në detyrë)

Blendi Gonxhja – Ministria e Kulturës, Turizmit dhe Sportit (Vjen nga MEKI dhe pason Mirela Kumbaron që drejtonte Turizmin)

Sofjan Jaupaj – Ministria e Mjedisit (Mbante detyrën e zv/ministrit të Mjedisit)

Mirela Kumbaro – Ministria e Arsimit (Vjen nga drejtimi i Ministrisë së Turizmit)

Evis Sala – Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (Vjen nga Italia)

Delina Ibrahimaj – Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit (Vjen nga Ministria e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit)

Diella – Anëtarja e parë jo fizikisht e pranishme e krijuar nga Inteligjenca Artificiale, në proceset qeverisëse, një mandat për të ndikuar ritmin e proceseve të qeverisjes. Diella, shërbyesja e prokurimeve publike.

Besfort Lamallari – Ministria e Drejtësisë (Pason Ulsi Manjën. Ky i fundit do të drejtojë komisionin parlamentar të Ligjeve)

Pirro Vengu – Ministria e Mbrojtjes (Rikonfirmohet në detyrë)

Andis Salla – Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (Kryebashkiaku aktual i Cërrikut)

Ervin Demo – Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor (Pason Arbjan Maznikun)

Majlinda Dhuka –  Ministre e Shtetit dhe Kryenegociatorja e Shqipërisë (Rikonfirmohet në detyrë)

Adea Pirdeni  – Ministre e Shtetit për antikorrupsionin (Rikonfirmohet në detyrë)

Toni Gogu – Ministria për Marrëdhëniet me Parlamentin

(Kosova Sot Online)