
Babë e bir arrestohen për kanosje ndaj familjarëve

Policia ka arrestuar dy shtetas, babë e bir, pas një konflikti të rëndë brenda familjes në lagjen “Derede”, ku dyshohet se kanë ushtruar dhunë fizike dhe kanë kanosur me armë zjarri familjarët e tyre, përkatësisht gruan/nënën dhe vajzën e mitur/motrën, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Të arrestuarit janë E. M., 44 vjeç dhe A. M., 22 vjeç, ndërsa gjatë kontrollit në banesë u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri kallashnikov, dy krehra dhe municion, të cilat mbaheshin pa leje.
Sipas deklaratës zyrtare të Policisë së Tiranës:
“Menjëherë pas njoftimit që morën për dhunë fizike dhe kanosje me armë zjarri, në një familje, në lagjen “Derede”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë organizuan punën dhe shkuan menjëherë në adresën e dhënë. Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale të kryera në kuadër të operacionit të koduar ‘On Time’, u parandaluan ngjarje të mundshme kriminale në këtë familje, duke arrestuar shtetasit E. M., 44 vjeç dhe A. M., 22 vjeç (babë e bir), të cilët dyshohet se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj familjarëve të tyre dhe i kanë kanosur me armë zjarri. Gjatë kontrollit në banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 1 armë zjarri kallashnikov, 2 krehra dhe municion, që i posedonte pa leje, shtetasi E. M.”
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme.
(Kosova Sot Online)