
Detaje për angazhimin e policisë për zgjedhjet lokale 2025

Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha ka mbajtur takim për angazhimin e policisë për zgjedhjet lokale 2025, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Në takim kanë marrë pjesë drejtorët rajonalë dhe komandantët e stacioneve policore.
“Në këtë takim morën pjesë zëvendësdrejtori i PK-së, drejtorët e departamenteve, divizioneve, drejtorive rajonale dhe komandantët e stacioneve policore, të cilët u njoftuan lidhur me planifikimet, vlerësimet dhe angazhimet policore në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, si një proces mjaft i rëndësishëm për vendin.”
Ata kanë diskutuar për planin për zgjedhjet e 12 tetorit. Hoxha ka thënë se është primare mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve.
“Drejtori Hoxha gjatë këtij takimi diskutoi edhe për situatën e përgjithshme të sigurisë, për analizën e punës periodike, për performancën dhe disiplinën në punë, e në veçanti për planin për zgjedhjet lokale, ku potencoi se krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, është primare për Policinë e Kosovës.”
Plani operativ do të përfshijë katër faza.
“Planifikimi operativ ka paraparë implementimin dhe realizimin e operacionit policor në katër faza, siç është filluar nga periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese, pastaj angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës parazgjedhore, angazhimi dhe garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve si dita (Z), si dhe periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së të materialit senzitiv e deri në përfundim të procesit.”
Për zgjedhje, policia do të angazhojë një numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme .
“Policia e Kosovës për zgjedhjet lokale do të angazhojë një numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës, si dhe ka marrë masa shtesë duke caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në dhe institucionet tjera të angazhuara në këtë proces.”
“Njëkohësisht nga të pranishmit u diskutua edhe rreth inicimit dhe procedimit të çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrjes së të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike, në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj. Policia e Kosovës, në krye me menaxhmentin e saj, mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme karshi qytetarëve dhe vendit.”
(Kosova Sot Online)