Rusia alarmon NATO-n dhe aleatët e saj

  • A.P /
  • 20 September 2025 - 12:40
Rusia alarmon NATO-n dhe aleatët e saj

Aleatët e NATO-s dënuan shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë nga Rusia, ndërsa aleanca ushtarake perëndimore caktoi një mbledhje të Këshillit të Atlantikut të Veriut për të biseduar për këtë krizë që po thellohet, pasi kjo është hera e tretë që avionët ushtarakë të Kremlinit provokojnë në ditët e fundit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“Sapo kam folur me kryeministrin e Estonisë, Kristen Michal, për shkeljen e hapësirës ajrore nga Rusia sot”, tha shefi i NATO-s, Mark Rutte, më mbrëmjen e së premtes në rrjete sociale.

“Reagimi i NATO-s…ishte i shpejtë dhe vendimtar”, shtoi ai, duke iu referuar ngritjes në ajër të avionëve të aleancës, pasi shteti i vogël baltik raportoi se tre avionë luftarakë rusë, MiG-31, kishin hyrë në hapësirën e tij ajrore.

Koloneli Martin O’Donnell, zëdhënës i Komandës Supreme të Forcave Aleate në Evropë, tha se “NATO-ja reagoi shpejt nën operacionin ‘Rojta Lindore’, duke ngritur në ajër avionë luftarakë italianë, F-025, të vendosur në Estoni”.

“Edhe Suedia e Finlanda ngritën avionët e tyre duke reaguar shpejt”, shtoi O’Donnell.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë më pas e mohoi se avionët e saj kishin shkelur hapësirën ajrore të Estonisë, duke thënë se ata ishin në një “fluturim të planifikuar…në përputhje me rregullat ndërkombëtare të hapësirës ajrore”.


(Kosova Sot Online)