Gërvalla e uron Spiropalin për detyrën, ajo ia kthen: Krah për krah

  • A.P /
  • 20 September 2025 - 17:20
Gërvalla e uron Spiropalin për detyrën, ajo ia kthen: Krah për krah

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Elisa Spiropalin, duke e uruar këtë të fundit në detyrën e saj të re si Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Gërvalla ka uruar se bashkëpunimi i tyre do të forcojë edhe më shumë marrëdhëniet mes dy vendeve.

‘‘Urimet më të përzemërta Elisa Spiropali në detyrën e re si Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, me bindjen se bashkëpunimi ynë i përditshëm do të forcojë edhe më shumë marrëdhëniet tona dhe do të shërbejë për të çuar përpara qëllimet e përbashkëta të dy shteteve tona motra dhe të mbarë kombit tonë.

Njëherazi, falënderim i sinqertë për Igli Hasani për bashkëpunimin e mirë dhe kontributin e çmuar gjatë gjithë rrugëtimit në këtë detyrë’’, ka shkruar Gërvalla.

Urimit të Gërvallës i është përgjigjur Spiropali. Kjo e fundit ka falënderuar ministren në detyrë, duke shtuar se ajo është mirënjohëse për bashkëpunimin e deritanishëm dhe për vizionin që ndajnë për forcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve tona motra.

‘‘Donikë e dashtun,

Falenderime zemre për urimin e ndjerë!

Jam thellësisht mirënjohëse për bashkëpunimin e deritanishëm dhe për vizionin që ndajmë për forcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve tona motra  dhe për mbarë kombin tonë. Si gjithmonë, do të jemi krah për krah për të çuar përpara qëllimet tona të përbashkëta, interesin tonë kombëtar, duke i shërbyer me përkushtim ndërtimit të një hapësire ku fjala ka peshë, ku besimi ndërton ura dhe ku dinjiteti kombëtar shndërrohet në energji zhvillimi për rajonin dhe më gjerë’’, ka shkruar ajo. 

(Kosova Sot Online)