
Ish-këshilltar i Clark, tregon si e bindën UÇK-në të demilitarizohej

Diplomati britanik, John Stewart Duncan po dëshmon në Gjykatën Speciale në mbrojtje të Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Duncan, i cili ishte këshilltar politik i ish-komandantit suprem të Forcave Aleate të NATO-s, Wesley Clark, tha se ai ishte autor i tekstit të marrëveshjes për demilitarizimin e UÇK-së.
“Unë isha i pranishëm, sepse unë e kam shkruar tekstin e marrëveshjes”, tha ai.
Marrëveshja, tha ai, “përmbante edhe përfitime, edhe ndëshkime”.
“Pra, ju si ushtri e Kosovës, bini dakord që të zbrisni nga malet, të shkoni në kampe t’i dorëzoni armët, dhe si shpërblim, ne do t’ju gjejmë juve një rol për ta luajtur në shoqëri, dhe kështu funksionoi ky proces. Ky është modeli që shfrytëzova unë për ta hartuar këtë marrëveshje”, tha ai.
Duncan tha se me nënshkrimin e marrëveshjes “nënkuptohej që të vazhdonte procesi që UÇK-ja, nga përceptimi ndërkombëtar, të shndërrohej nga një grup kriminelësh apo terroristësh, të ishin luftëtarë të lirisë që e kishin nënshkruar Marrëveshjen e Rambujesë”.
(Kosova Sot Online)