
Osmani kërkon rregulla të reja për azilin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje për reformim të sistemit ndërkombëtar të azilit, duke theksuar se boshllëqet ekzistuese po shfrytëzohen nga rrjete kriminale dhe po dëmtojnë refugjatët e vërtetë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Deklaratat e saj u bënë gjatë një tryeze të mbajtur në New York, me temën “Sistemi Botëror i Azilit: Çfarë shkoi keq dhe si të rregullohet”, organizuar nga ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Christopher Landau.
Presidentja Osmani tha se është e nevojshme të ndërtohen rregulla më të shpejta dhe një kornizë ligjore më fleksibile, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes shteteve për të luftuar fenomenin në rritje të keqpërdorimit të sistemit të azilit nga grupet e krimit të organizuar.
Duke rikujtuar përvojën personale si refugjate gjatë luftës në Kosovë, Osmani theksoi se “abuzimi me sistemin e azilit nga bandat kriminale e vështirëson situatën për ata që kanë realisht nevojë për mbrojtje”.
Ajo theksoi angazhimin e Kosovës në këtë fushë, duke përmendur bashkëpunimin e ngushtë me shtetet evropiane për të luftuar kriminalizimin e migracionit dhe për të parandaluar manipulimin e sistemit nga elementë të paligjshëm.
Osmani nënvizoi se Kosova ka qenë e gatshme të japë kontribut konkret dhe është ndër vendet e para që ka nënshkruar marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për pranimin e shtetasve të tretë të dëbuar nga SHBA-të, me qëllim kthimin e tyre të rregullt në vendet e origjinës.
“Kosova është shteti i parë në Evropë që ka nënshkruar një marrëveshje të tillë me SHBA-në, si pjesë e mbështetjes për përpjekjet ndërkombëtare në luftën kundër migracionit të paligjshëm”, u shpreh Osmani, duke shtuar se vendi, ndonëse i vogël, është i gatshëm të kontribuojë aty ku është e nevojshme.
Gjithashtu, Osmani përmendi se Kosova ka harmonizuar me SHBA-në listën e organizatave terroriste, përfshirë edhe aktet më të fundit ekzekutive të qeverisë amerikane në këtë fushë.
“Nëse një organizatë cilësohet si kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-së, atëherë ajo trajtohet si terroriste edhe në Republikën e Kosovës,” tha ajo.
Në përmbyllje, Osmani bëri thirrje për një qasje më efikase dhe të bashkërenduar ndërkombëtare, duke theksuar se vetëm me një sistem të qëndrueshëm dhe bashkëpunim efektiv mes shteteve, mund të parandalohet abuzimi i mëtejshëm me të drejtën e azilit.
“Nuk mund të lejojmë që rrjetet kriminale të bashkëpunojnë më mirë se shtetet. Duhet të krijojmë një sistem që i mbron ata që kanë realisht nevojë për mbrojtje,” përfundoi ajo.
(Kosova Sot Online)