Kurti e Gërvalla takohen me ministrin e Jashtëm të Omanit

  • A.P /
  • 26 September 2025 - 10:40
Kurti e Gërvalla takohen me ministrin e Jashtëm të Omanit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kanë njoftuar se në New York kanë takuar ministrin e Jashtëm të Sulltanatit të Omanit, Sayyid Badr bin Hamad bin Hamood Al Busaidi, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

ZKM tha se Kosova dhe Omani kanë raporte konstruktive, ndonëse nuk kanë marrëdhënie formale diplomatike.

“Kurti shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin dhe mbështetjen e Omanit ndaj vendit tonë në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Ai e njoftoi për progresin ekonomik e demokratik në Kosovë dhe për mundësitë që ofron për investitorë të huaj. Më tej, ai u shpreh i bindur në potencialin dhe përfitimet dypalëshe në fusha si, partneriteti ekonomik e tregtar, bashkëpunimi kulturor e artistik, arsimi e turizmi”, u tha në njoftim.

Kurti ka ftuar ministrin Al Busaidi, bashkë me një delegacion të nivelit të lartë, për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës, “për të parë e për të hulumtuar mundësitë e reja të bashkëpunimit, që do të thellonin mirëkuptimin ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë”.


(Kosova Sot Online)