
SHBA mbështet planin për Tony Blair në Gaza

Administrata amerikane po mbështet një plan që ish-kryeministri britanik Tony Blair të udhëheqë një autoritet të përkohshëm ndërkombëtar në Gazë, me mandat deri në pesë vjet.
Sipas mediave izraelite, ky organ do të quhet Autoriteti Ndërkombëtar Tranzitor i Gazës (Gita) dhe fillimisht do të bazohet në Egjipt, përpara se të vendoset në territor me mbështetjen e një force shumëkombëshe arabe të miratuar nga OKB.
Plani është modeluar sipas përvojës së Kosovës dhe Timor-Leste, dhe synon kalimin gradual të kontrollit nën Autoritetin Palestinez. Ai parasheh një bord prej 7–10 anëtarësh, mes tyre përfaqësues palestinezë, figura ndërkombëtare dhe anëtarë myslimanë, si dhe një sekretariat me rreth 25 persona. Blair do të ishte figura kryesore.
Por emri i tij ngjall kundërshtime të forta te palestinezët, të cilët e akuzojnë për pengimin e shtetësisë së tyre dhe për rolin e tij në luftën e Irakut.
Ndërkohë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar një plan tjetër – të njohur si Deklarata e Nju Jorkut – që parasheh një administratë teknokratike vetëm për një vit, pas së cilës pushteti do t’i kalonte një AP-je të reformuar me kushtetutë të re dhe zgjedhje.
Presidenti francez Emmanuel Macron po përpiqet të afrojë dy propozimet, sipas The Guardian.
Mungesa e një afati të qartë në planin amerikan shihet si problem nga liderët arabë, por nga Izraeli dhe kryeministri Netanyahu vlerësohet si garanci. Trump, pas një takimi me liderë nga Katari, Arabia Saudite, Jordania, Indonezia dhe Turqia, tha se palët janë “afër një marrëveshjeje”.
Presidenti palestinez Mahmoud Abbas ka deklaruar se Hamasi nuk do të ketë rol në qeverisjen e pasluftës, ndërsa përsëriti se Gaza është pjesë integrale e shtetit të Palestinës dhe se AP është e gatshme të marrë përgjegjësi të plota.
Trump ndërkohë mohoi çdo mundësi për aneksim të Bregut Perëndimor nga Izraeli, duke thënë: “Nuk do ta lejoj. Nuk do të ndodhë”.
(Kosova Sot Online)