
Serbia balancon midis Rusisë, Kinës dhe Perëndimit

Serbia balancon midis Rusisë, Kinës dhe Perëndimit, ndërsa fqinjët e saj mbështeten kryesisht te bashkëpunimi me shtetet anëtare të NATO-s.
Analistët thonë se këto aleanca të kundërta, në një formë ose tjetër, pasqyrojnë rivalitetin global në Ballkanin Perëndimor.
Kështu, rajoni, i cili para një çerek shekulli doli nga lufta e fundit që pasoi shpërbërjen e Jugosllavisë, vazhdon të mbetet nën rreziqe të sigurisë.
Kontrasti më i theksuar është mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa Kosova synon integrim më të thellë në NATO, Serbia, krahas bashkëpunimit me NATO-n, ndërvepron edhe me Pekinin dhe Moskën.
Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina janë dy shtete të Ballkanit Perëndimor që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ashtu si edhe Kina dhe Rusia.
Ish-ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Fatmir Mediu, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky kombinim e ka shndërruar prej kohësh Ballkanin Perëndimor në një version miniaturë të rivaliteteve globale.
“… sepse siguria sot nuk është vetëm çështje mbrojtjeje. Siguria është çështje infrastrukture, teknologjie, politike, ekonomike dhe ushtarake. Marrë parasysh këto, raportet që i ka krijuar Serbia [me Rusinë dhe Kinën] janë çështje e një shqetësimi jo të vogël”.
Harmonizimi i modernizimit ushtarak me synimet e deklaruara euroatlantike mbetet çështje e diskutueshme edhe për Nikolla Lluniqin, konsulent në Beograd për çështje gjeopolitike dhe të sigurisë.
“Do të ishte e pritshme që – nëse të gjitha vendet synojnë të anëtarësohen një ditë në NATO dhe sigurisht në Bashkimin Evropian – struktura evropiane e sigurisë të ishte plotësisht e përputhshme. Kjo nënkupton që blerjet ushtarake të koordinohen. Por kjo, normalisht, nuk ndodh në rajonin tonë, për shkak të historisë sonë të papërfunduar dhe narrativëve shpesh nacionalistë dhe agresivë”.
Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë anëtare të NATO-s; Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina aspirojnë të anëtarësohen, ndërsa Serbia – edhe pse ushtarakisht neutrale – është pjesë e programit të NATO-s “Partneriteti për Paqe”.
Vendet anëtare të NATO-s, në parim, kanë armatim të dizajnuar ose të përshtatur që të jetë i ndërveprueshëm. Kjo do të thotë se pajisjet duhet të flasin “gjuhën” e njëjtë teknologjike.
Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI), Serbia ka bërë shpenzimet më të mëdha ushtarake në rajonin e Ballkanit Perëndimor gjatë pesë vjetëve të fundit, duke blerë armatim si nga Perëndimi, ashtu edhe nga Lindja.
Vetëm në vitin 2024, Serbia ndau 2.2 miliardë dollarë për ushtrinë – rreth pesë herë më shumë se Shqipëria, që është anëtare e NATO-s. Kosova ndau rreth 162 milionë, krahasuar me 90 milionë të ndarë në vitin 2020.
Për Mediun, çekuilibri i tillë në investimet ushtarake ngre “flamurin e kuq”.
“Serbia – po t’i shohësh politikat e saj në Bosnje dhe Herecegovinë e në mënyrë të veçantë në Kosovë – nuk ka hequr dorë kurrë nga pretendimet për të mbrojtur, siç thotë ajo, popullsinë serbe. Është i njëjti narrativ që ka përdorur edhe Rusia [për pushtimin e Ukrainës]. Pra, ajo s’ka për të hequr dorë nga dominimi në rajonin e Ballkanit”.
Si arsyetim për armatosjen e Serbisë, Vuçiq shpesh përmend “kërcënimet nga fqinjësia”, pa specifikuar se prej kujt. “Ne nuk do të prekim askënd, vetëm do të mbrojmë territorin dhe integritetin tonë”, deklaroi në fillim të shtatorit në Pekin.
Për Lluniqin, kjo retorikë është për përdorim të brendshëm. Por, përpjekjet e tij për të balancuar mes të gjithëve, përfshirë Kinën dhe Rusinë, në një moment të caktuar mund t’i kthehen bumerang.
“Nëse kriza aktuale gjeopolitike eskalon, atëherë edhe vetë Serbia do të ishte në një situatë shumë të ndjeshme, ku askush nuk do ta pranonte statusin e saj neutral. Në një situatë të tillë, të gjithë do ta perceptonin Serbinë si një partnere të pabesueshme”.
Nikolla Lluniq, drejtor ekzekutiv i Këshillit joqeveritar për Politika Strategjike në Beograd
Ish-zyrtari i NATO-s, Jamie Shea, thotë se Kina kërkon pikëmbështetje në Evropë dhe Serbia, me nevojat e saj ekonomike dhe me lëkundjet e vazhdueshme mes Lindjes e Perëndimit, është partnere tërheqëse.
Shea nuk e përjashton mundësinë që Vuçiq, për shkak të trazirave të brendshme dhe tensioneve rajonale, të ndjekë një qasje më konfrontuese edhe ndaj fqinjëve.
Ai thotë se NATO-ja duhet t’i monitorojë nga afër zhvillimet e sigurisë, sidomos përgjatë kufijve dhe në zonat e prira për trazira, dhe të jetë e gatshme të reagojë shpejt nëse tensionet përshkallëzohen.
(Kosova Sot Online)