Vjosa Osmani udhëton drejt Danimarkës

  • A.P /
  • 01 October 2025 - 10:15
Vjosa Osmani udhëton drejt Danimarkës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar drejt Danimarkës për të marrë pjesë në Samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC), i cili po mbahet në Kopenhagë dhe mbledh rreth 45 liderë evropianë, përfshirë përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Sipas njoftimit nga Presidenca, para nisjes së punimeve të samitit, Presidentja Osmani do të pritet në një ceremoni zyrtare nga Mbreti dhe Mbretëresha e Danimarkës. Ajo do të marrë pjesë në të dy sesionet kryesore të këtij edicioni të EPC-së, ku në fokus do të jenë çështjet më të rëndësishme të sigurisë dhe politikës evropiane.

“Gjatë samitit, Presidentja Osmani do të jetë pjesë e tryezës së diskutimit për sfidat e sigurisë me të cilat po përballet kontinenti, si kërcënimet hibride dhe provokimet nga Rusia ndaj vendeve anëtare të NATO-s. Liderët do të diskutojnë për mënyrat e rritjes së gatishmërisë mbrojtëse dhe shfrytëzimit të momentit politik për vendimmarrje strategjike”, thuhet ne njoftim.

Përveç pjesëmarrjes në diskutimet plenare, thuhet se Presidentja pritet të zhvillojë edhe takime bilaterale me liderë të tjerë evropianë pjesëmarrës në këtë samit.

Komuniteti Politik Evropian, i krijuar në vitin 2022, synon të shërbejë si platformë për forcimin e lidhjeve politike dhe ekonomike mes vendeve të BE-së dhe atyre jashtë saj, duke adresuar sfida të përbashkëta dhe thelluar bashkëpunimin në mbarë kontinentin.

(Kosova Sot Online)