Orav: Shpresa jonë është që Kuvendit të konstituohet sa më shpejt

  • A.P /
  • 01 October 2025 - 14:00
Orav: Shpresa jonë është që Kuvendit të konstituohet sa më shpejt

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, tha se komuniteti ndërkombëtar po analizon vendimin e publikuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, teksa u bëri thirrje partive politike që sa më shpejt të formojnë institucionet e reja, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“Jemi duke e analizuar aktualisht, por sigurisht shpresa jonë është që Kuvendit të konstituohet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe shpresojmë që të ketë një qeveri me mandat të plotë sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Orav gjatë një prononcimi për media më 1 tetor.

Një ditë më parë, Gjykata Kushtetuese publikoi njoftimin për vendimin e saj lidhur me çështjen e Kuvendit, duke deklaruar se organi ligjvënës nuk është konstituuar, ashtu siç kishte pandehur në fund të gushtit kreu i ri i Kuvendit, Dimal Basha.

Kushtetuesja tha se Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.

“Ju lutem, konstituojeni Kuvendin dhe ju lutem formoni një qeveri”, bëri thirrje ambasadorit i bllokut evropian në Kosovë.

Kushtetuesja tha se seanca konstituive – e nisur më 15 prill – nuk ka përfunduar dhe e njëjta duhet të përfundojë brenda 12 ditësh.

Aktgjykimi i plotë i Kushtetuese ende nuk është publikuar dhe vetëm pas publikimit të tij nis rrjedhja e afatit 12-ditor.

Kushtetuesja urdhëroi deputetët që “në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat], paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit”.

Gjykata më e lartë në Kosovë e mori këtë vendim pas ankesës së Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – lidhur me votimin ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës nga radhët e pakicave.

(Kosova Sot Online)