
Osmani në Kopenhagë për Samitin e Komunitetit Politik Europian

Liderë europianë, përfshirë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani do të takohen sot në Kopenhagë të Danimarkës për samitin e shtatë të Komunitetit Politik Europian, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Bashkimi Europian ia ka vendosur Kosovës një fusnotë, ndërsa ka publikuar agjendën e samitit duke përmendur vendet pjesëmarrëse.
Takimi i shtatë i Komunitetit Politik Europian do të mbledhë së bashku liderë nga i gjithë kontinenti në Kopenhagë.
Liderët, siç njoftohet, do të përqendrohen në mënyrën se si të forcohet Ukraina, situatën e përgjithshme të sigurisë në Europë dhe si të bëhet Europa më e fortë dhe më e sigurt në situatën gjeopolitike aktuale.
Seancës plenare do të pasojet nga disa diskutime në tryeza të rrumbullakëta, të përqendruara në aspekte të ndryshme të situatës së sigurisë në Europë, përfshirë: kërcënimet tradicionale dhe hibride, sigurinë ekonomike e migracionin.
“BE-ja do të përfaqësohet nga António Costa, Presidenti i Këshillit Europian, i cili do të kryesojë takimin bashkë me Mette Frederiksen, Kryeministren e Danimarkës”, thuhet në agjendë.
(Kosova Sot Online)