
Zelensky: Rusia dëshiron të ndajë Evropën

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se Rusia vazhdon të ndihet e guximshme për të eskaluar luftën dhe për të rritur kërcënimet ndaj Evropës, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Duke folur në kuadër të takimit të Komitetit Politik Evropian të enjten në Danimarkë, ai ka theksuar se incidentet e fundit me dronë janë një tregues i qartë i synimeve të Moskës për destabilizim.
“Incidentet e fundit me dronë në të gjithë Evropën janë një shenjë e qartë se Rusia ende ndihet mjaftueshëm e guximshme për të përshkallëzuar këtë luftë dhe dëshiron të ndajë Evropën, të ndezë debate, të na pengojë të gjejmë terren të përbashkët”, ka deklaruar Zelensky.
Ai ka theksuar se sulmet me dronë ndaj Polonisë dhe shkeljet e hapësirës ajrore në Evropën Veriore janë paralajmërim serioz për të gjitha vendet e tjera.
“Nëse rusët guxojnë të lëshojnë dronë kundër Polonisë ose të shkelin hapësirën ajrore të vendeve të Evropës Veriore, kjo do të thotë se kjo mund të ndodhë kudo, në Evropën Perëndimore, në jug, dhe ne kemi nevojë për një përgjigje të shpejtë dhe efektive”, është shprehur ai.
Zelensky u ka kërkuar udhëheqësve evropianë që të përshpejtojnë miratimin e paketës së 19-të të sanksioneve kundër Rusisë dhe të mbështesin thirrjen e presidentit amerikan, Donald Trump, për ndalimin e blerjes së naftës ruse në Evropë.
Ai ka goditur drejtpërdrejt kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, duke thënë se edhe ai duhet ta kuptojë mesazhin.
“Edhe djemtë nga Hungaria duhet ta dëgjojnë këtë”, ka shtuar Zelensky, duke u shprehur i bindur se energjia nga SHBA-ja dhe partnerët e tjerë mund ta mbushin boshllëkun në tregun evropian.
(Kosova Sot Online)