Dodik mbështet publikisht Putinin

  • A.P /
  • 03 October 2025 - 08:00
Dodik mbështet publikisht Putinin

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është takuar me ish-presidentin e Republikës Srpska, Milorad Dodik, në qytetin bregdetar të Soçit, ku u theksua afërsia e vazhdueshme mes tyre dhe u dhanë mesazhe të qarta për vazhdimin e bashkëpunimit ruso-serb. Takimi ndodhi në kuadër të forumit ndërkombëtar “Valdaj”, ku mori pjesë edhe Dodik, një nga aleatët më të afërt të Putinit në rajon, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Putin e përshëndeti Dodikun me fjalë miqësore:

“Ju uroj Ditën e Unitetit Serb. Më vjen mirë që ju shoh sërish.”

Nga ana e tij, Dodik dha deklarata që u interpretuan si mbështetje e qartë për politikën agresive të Rusisë, përfshirë edhe luftën në Ukrainë.

“Ne duam që Rusia të përparojë. Kam qenë këtu edhe për 9 majin [Ditën e Fitores]. Më gëzon bashkëpunimi ynë, që sipas meje është shumë i mirë”, tha Dodik, duke shtuar se “situata në Republikën Srpska është e ndërlikuar.”

Dodik paralajmëroi gjithashtu se gjatë takimit me Putinin do të diskutohej për situatën aktuale, për marrëdhëniet dypalëshe dhe për zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme, duke shprehur shpresën për arritjen e marrëveshjeve të reja në të ardhmen – një sinjal i qartë për vazhdimin e afërsisë strategjike me Moskën.

“Do të flasim për gjendjen aktuale, marrëdhëniet mes nesh, dhe do të analizojmë çfarë është realizuar nga ato që kemi rënë dakord më herët”, shtoi Dodik.

Përpara takimit, Dodiku u prit edhe nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, i cili e falënderoi për pjesëmarrjen në forumin “Valdaj” dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Rusisë.

Dodik, i cili në mënyrë të vazhdueshme ka qenë ndër figurat më pro-ruse në Ballkan dhe ka shprehur publikisht simpati për veprimet e Kremlinit, nuk e fshehu entuziazmin për rolin e Rusisë në skenën ndërkombëtare. Kjo vizitë shihet nga shumë analistë si një përpjekje për të forcuar më tej lidhjet politike me Moskën dhe për të dërguar sinjal mbështetës për vijimin e luftës në Ukrainë.

(Kosova Sot Online)