
Joseph: Evropa duhet të përballet seriozisht me çështjet në Ballkan

Evropa më në fund duhet të përballet seriozisht me çështjet në Ballkan, gjë që deri tani nuk e ka bërë, ka deklaruar Edward Joseph, ligjërues dhe bashkëpunëtor i lartë në Universitetin “Johns Hopkins”, gjatë një paneli në Forumin “To Be Secure” (2BS), të mbajtur në Mal të Zi, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Duke folur në panelin me temë “Paradoksi i fuqisë: Aleatët, autonomia dhe drejtimi i ri i Amerikës”, Joseph theksoi se kjo nuk është vetëm pritshmëri e administratës aktuale amerikane, por një pritshmëri e vazhdueshme që nga vitet ’90, nga të gjitha administratat e SHBA-së.
“Evropa nuk është në gjendje të përballet me kërcënimin më të madh të sigurisë – luftën agresive të Rusisë kundër Ukrainës. Për këtë nevojiten kapacitetet e SHBA-së dhe NATO-s, veçanërisht ato amerikane. Por Evropa mund dhe duhet të merret me Ballkanin, gjë që deri më tani nuk e ka bërë”, u shpreh Joseph.
Ai theksoi se pa përballje me realitetin dhe pa marrje përgjegjësish konkrete, Bashkimi Evropian nuk do të mund ta realizojë as ëndrrën e vet për autonomi strategjike.
“Është e qartë se Evropa ka humbur shumë mundësi, duke u lëkundur për zgjerimin dhe për çështje politike që janë krejtësisht të zgjidhshme. Nuk flasim për Rusinë, armë bërthamore apo superfuqi energjetike. Asnjë vend i Ballkanit nuk ka armë bërthamore, as nuk është superfuqi energjetike. Këto janë probleme që mund të zgjidhen. Evropa duhet të angazhohet”, shtoi Joseph.
(Kosova Sot Online)