
Goditet ‘Call Center’ në kryeqytet që mashtronte evropianët

Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “SCAMS”, duke goditur një call center në Tiranë, i dyshuar për mashtrime ndaj qytetarëve të vendeve të Bashkimit Evropian, duke i bindur ata të investonin në bursa fiktive.
Nga operacioni u arrestuan në flagrancë administratorja e call center-it, Kejsi Përgjegji, 28 vjeç, dhe një tjetër person, Marjus Hysa, 38 vjeç, në banesën e të cilit u gjetën 41 mijë e 500 euro dhe 700 mijë lekë, të dyshuara si përfituar nga veprimtaria kriminale.
Sipas njoftimit të Policisë, janë proceduar penalisht 38 punonjës të call center-it, të cilët dyshohen për mashtrime ndaj qytetarëve evropianë. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar gjithsej 106 mijë e 710 euro dhe 700 mijë lekë, 51 njësi kompjuterike, 14 aparate celulare, lista me emrat e klientëve dhe shumave të përfituara, si dhe dokumentacion që tregon bonuset dhe objektivat e punonjësve.
Kontrolli i objektit dhe banesave të bashkëpunëtorëve zbuloi prova që lidhen me veprat penale:
Mashtrim me pasoja të rënda, punësim i paligjshëm, fFshehje të ardhurash, mospagim i taksave dhe tatimeve, pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.
Materialet procedurale janë referuar pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprime të mëtejshme hetimore.
(Kosova Sot Online)