
Çmimi Nobel në Mjekësi u jepet tre shkencëtarëve

Çmimi Nobel në Fiziologji ose Mjekësi për vitin 2025 u është dhënë shkencëtarëve Mary E. Brunkow, Fred Ramsdell dhe Shimon Sakaguchi për zbulimet e tyre revolucionare “lidhur me tolerancën imunitare periferike”, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Komiteti i Nobelit njoftoi se çmimi iu akordua për punën e tyre në kuptimin e mënyrës se si sistemi imunitar mbron trupin nga vetë-dëmtimi, duke parandalur që ai të sulmojë indet e shëndetshme të vetë organizmit.
Zbulimet e këtyre tre studiuesve kanë ndihmuar në sqarimin e mekanizmave themelorë që qëndrojnë pas sëmundjeve autoimune, si dhe kanë hapur rrugën për zhvillimin e terapive të reja në trajtimin e këtyre sëmundjeve.
Ky çmim shënon hapjen zyrtare të javës së Çmimeve Nobel 2025. Në ditët në vijim do të shpallen edhe fituesit në kategoritë: Fizikë, Kimi, Letërsi, Paqe dhe Ekonomi.
(Kosova Sot Online)