
Prokuroria shqiptare: Psikiatri kosovar mbetet nën hetim

Emri i psikiatrit kosovar, Behar Kamberi, u bë i njohur në Shqipëri javën e kaluar, por jo për ndonjë sukses në punën e tij. Mbi dyshimet për përndjekje, 42-vjeçari përfundoi në prangat e Policisë shqiptare dhe tashmë ka dosje të hapur për vepër penale transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Viktima që e denoncoi Kamberin në organet e rendit doli të jetë një moderatore shqiptare, e cila, sipas raportimeve, ia bëri ‘gropën’ mjekut për ta kapur zyrtarët policorë.
Megjithëse ai u lirua, Prokuroria e Përgjithshme në Tiranë ka bërë të ditur për Klankosova se kjo çështje penale po hetohet, edhe pse Kamberi është liruar.
“Nga verifikimi i kryer, rezulton se mbi bazën e kallëzimit të shtetases A.B është regjistruar procedimi penal nr. 7044 i vitit 2025 për veprën penale “Përndjekja” parashikuar nga neni 121/a i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit B.K.
Pas arrestimit të këtij shtetasi nga policia është urdhëruar lirimi i mënjëhershëm nga prokurori i gatshëm. Çështja vijon ende në hetim.”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Mesazhe me tekste si: “…Të dua…dëshiroj të martohem me ty…” apo “…jeni shumë e bukur, dua tju takoj se kam ardhur nga Kosova vetëm për ju…”, thuhet se janë vlerësuar nga prokuroria si një komunikim krejt normal dhe aspak shqetësues, intimidues, apo kanosës për jetën e moderatores.
Çka thotë Neni 121/a i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë?
Bazuar në këtë nen, “kërcënimi ose ngacmimi i personit me anën e veprimeve të përsëritura, me qëllimin për t’i shkaktuar një gjendje të vazhdueshme dhe të rëndë ankthi apo frike për sigurinë vetjake, të një të afërmi ose të një personi, me të cilin ka lidhje shpirtërore, apo për ta detyruar të ndryshojë mënyrën e tij të jetesës, dënohet me burgim nga gjashtë muaj gjer në katër vjet”.
Denoncim edhe në Kosovë
Klankosova.tv ka raportuar ekskluzivisht javën e kaluar se kundër Kamberit është raportuar edhe në Policinë e Kosovës.
Një gjë e tillë është konfirmuar për redaksinë edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, me ç’rast kanë bërë të ditur se në tetor të vitit 2020 kishin pranuar kallëzimin penal ndaj tij për veprat “Kanosje” dhe “Ngacmim”, por rasti ishte zgjedhur me ndërmjetësim.
“Prokurori i shtetit pas pranimit të kallëzimit penal dhe shkresave të lëndës ka vlerësuar se, rasti mund të referohet për ndërmjetësim, me datë 03.12.2020, zyra për ndërmjetësim, ka paraqitur në Prokurori marrëveshjen e ndërmjetësimit të arritur në mes të palëve të përfshira në rast, si dhe palët me vullnetin dhe pajtimin e tyre kanë zgjidhur rastin sipas ligjit për ndërmjetësim”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e Prokurorisë
Kujtojmë se Shërbimi Spitalor Klinik Universitar (ShSKUK) ka vendosur ta pezullojë nga detyra Kamberin për një periudhë të caktuar.
(Kosova Sot Online)