Osmani: Jemi vendi reformator nr.1 në Europë

  • A.P /
  • 06 October 2025 - 15:08
Osmani: Jemi vendi reformator nr.1 në Europë

Presidentja Vjosa Osmani tha se procesi i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian “nuk është i bazuar në merita”, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Pas samitit të procesit të Bërdo-Brionit në Durrës, Osmani tha për televizionin publik shqiptar se BE-ja s’po i heq sanksionet ndaj Kosovës “përkundër të gjitha reformave”. Ajo tha se “askush nga shtetet anëtare nuk është i gatshëm të japë një arsye se pse janë ende në fuqi”.

Ndërkohë që Shqipëria ka shënuar përparim të madh drejt BE-së. Kosova është i vetmi vend nga rajoni që ende s’e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim.

Osmani tha se aplikacioni i Kosovës për të marrë statusin e vendit kandidat, i dorëzuar në vitin 20222, s’është shqyrtuar fare.

“Deri tani, për shkak të disa shteteve anëtare, as nuk është mandatuar Komisioni Evropian për t’u marrë me çështjen e statusit të kandidatit për Kosovën”, tha ajo.

Kësisoj, sipas saj, Kosovës po i bëhet padrejtësi. Osmani madje tha se vendi tani do të ishte “shumë afër anëtarësimit”, sikur procesi “të ishte i bazuar në merita”.

“Kjo na sjell te konkluzioni se procesi nuk është i bazuar në merita, por ka zhvillime politike, konsiderata vetanake që shtetet anëtare nganjëherë i marrin parasysh për të shtyrë përpara apo për ta përkrahur një shtet apo jo. Sepse sikur të ishte e bazuar në merita, Kosova – si reformatorja numër 1 jo vetëm në këtë rajon, por sipas Gallup International, në sundimin e ligjit jemi numër 1 në Evropë dhe numër 3 në botë – do të ecte shumë përpara dhe tani do të ishim shumë afër anëtarësimit, por fatkeqësisht zhvillimet politike në disa shtete anëtare po e bllokojnë këtë”, tha ajo.

Osmani tha se në samit kërkoi mbështetjen e Sllovenisë dhe Kroacisë, si dy vende partnere që janë anëtare të BE-së. Nga to tha se kërkoi që të jenë “edhe më aktiv” dhe “zëri ynë në institucionet e BE-së dhe të hapet rruga edhe për Kosovën”.

Për rrugën e Shqipërisë, tha se është e lumtur.

(Kosova Sot Online)