
Izraeli pas dy vitesh luftë në Gazë

Sulmi i 7 tetorit nga Hamasi e tronditi Izraelin në rrënjë. Si kundërpërgjigje, vendi nisi një fushatë ushtarake në Gazë, e cila shpesh ka shkuar përtej kufijve të tij.
7 tetori i vitit 2023 e zuri Izraelin në befasi. Atë ditë, luftëtarët e Hamasit dhe grupe të tjera terroriste çanë kufirin e blinduar të Gazës dhe nisën sulmin në Izrael, duke vrarë rreth 1200 vetë dhe duke pengmarrë 251 të tjerë në territorin e vogël palestinez. Përjetimi i një dobësie të tillë çoi drejt një traume që ndihet ende në Izrael edhe sot.
Një ditë më pas, në 8 tetor 2023, qeveria e Izraelit nisi sulmin në Gazë dhe dy vitet që pasuan ishin të tmerrshme për palestinezët në enklavë. Aksionet e ndërmarra nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë vrarë të paktën 66 mijë vetë – 80% prej të cilëve civilë – dhe kanë plagosur rreth 169 mijë të tjerë, sipas të dhënave të ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila drejtohet nga Hamasi. Agjencitë botërore besojnë se shifrat e vërteta të numrit të vdekjeve janë shumë herë më të larta.
Organizata Botërore e Migracionit ka raportuar se 90% e shtëpive në Gazë janë shkatërruar ose dëmtuar, duke lënë 1.9 milionë banorë – nga 2.1 milionë në total – të zhvendosur brenda vendit. Për shkak të „bllokadës së plotë“ që Izraeli ka vendosur ndaj Gazës, pjesë të mëdha të territorit po përjetojnë një zi akute buke që deri më tani ka shkaktuar vdekjen e të paktën 450 vetëve, 150 prej të cilëve fëmijë.
Synimet e Izraelit, të arritura pjesërisht
Pas sulmit të 7 tetorit, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përcaktoi dy objektiva kryesore për luftën në Gazë: të rikthente të gjithë pengjet izraelite dhe të “shkatërronte” Hamasin. Dy vite më vonë, ai nuk ka përmbushur asnjërin prej objektivave.
Nga 251 pengjet që u çuan në Gazë, 148 janë kthyer të gjallë në Izrael. Tetë u gjetën nga IDF, ndërsa 140 të tjerët u liruan nga Hamasi në këmbim të qindra palestinezëve të kapur nga Izraeli. Trupat e disa pengjeve izraelite janë rikthyer në Izrael. Sipas qeverisë së Izraelit, 48 pengje janë ende të mbajtur peng. Nga këta, vetëm 20 mendohet të jenë gjallë.
Hamasi, të cilin Izraeli, BE-ja dhe SHBA-të, mes shumë qeverive të tjera, e konsiderojnë organizatë terroriste, është ende i pranishëm në Gazë, megjithëse shumë nga luftëtarët e tij janë vrarë gjatë dy viteve të fundit. Izraeli ka vrarë gjithashtu një sërë figurash kryesore të Hamasit, midis tyre Ismail Haniyeh dhe Yahya Sinwar. Pavarësisht këtyre vrasjeve, grupi vazhdon të veprojë.
Në fund-shtatorin e këtij viti, presidenti i SHBA-së Donald Trump paraqiti një plan paqeje me 20 pika për Gazën, i cili kërkon lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura dhe çarmatimin e Hamasit, luftëtarët e të cilit, në rast se “angazhohen për bashkëjetesë paqësore” me Izraelin, do të amnistohen. Kjo nënkupton fundin e Hamasit si një milici e armatosur.
Armiqtë e dobësuar të Izraelit
Luftimet nuk janë kufizuar vetëm në Qyztetin e Gazës gjatë dy viteve të fundit. Hezbollahu, i cili është aktiv në Liban, dhe Huthët e Jemenit shprehën solidaritet me Hamasin kur filloi lufta në Gazë. Të trija organizatat, Hezbollahu, Huthët dhe Hamasi, raportohet se marrin mbështetje financiare nga Irani.
Hezbollahu nisi sulme të shumta kundër Izraelit në vitet 2024 dhe 2025, pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023. Huthët gjithashtu e kanë shënjestruar vazhdimisht Izraelin me raketa dhe dronë.
(Kosova Sot Online)