AKB akuzon ASK për manipulim të të dhënave statistikore

  • a.p /
  • 07 October 2025 - 15:30
AKB akuzon ASK për manipulim të të dhënave statistikore

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj një publikimi të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), e cila ka prezantuar të dhëna për vitin 2024 që sipas saj, tregojnë për “rritje të jashtëzakonshme” të të hyrave nga mërgata dhe tregtia e jashtme, në krahasim me vitin 2014, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Në reagimin e saj zyrtar, AKB ka vënë në pikëpyetje metodologjinë e zgjedhur nga ASK, duke e cilësuar krahasimin 10-vjeçar si të pazakontë dhe të paarsyetuar profesionalisht, dhe duke ngritur dyshime serioze për motivime politike pas këtij publikimi.

“ASK ka zgjedhur të krahasojë të dhënat e vitit 2024 me ato të vitit 2014, pa ofruar asnjë arsyetim profesional për këtë zgjedhje. Kjo na bën të besojmë se kemi të bëjmë me një manipulim të qëllimshëm të statistikave, në funksion të propagandës politike, në një kohë kur vendi ndodhet në atmosferë zgjedhore,” thuhet në deklaratën e AKB-së.

AKB e konsideron përpjekjen për ta paraqitur rritjen e remitancave si sukses ekonomik një mashtrim publik. Sipas saj, këto të ardhura janë rezultat i largimit të qytetarëve jashtë vendit dhe nuk reflektojnë zhvillim të qëndrueshëm vendor.

“Remitancat janë para të dërguara nga mërgimtarët tanë – qytetarë që janë detyruar të largohen nga vendi për të kërkuar punë dhe jetë më të mirë. Ato nuk janë shenjë e zhvillimit ekonomik, por tregues i mungesës së mundësive në Kosovë,” thuhet më tej në reagim.

AKB vlerëson se, ndonëse rritja e eksporteve është pozitive, entuziazmi që është krijuar për të është i tepruar dhe i paarsyeshëm, sidomos në një krahasim afatgjatë pa kontekst.

Ndërkohë, rritja alarmante e importeve, nga 2.5 miliardë euro në vitin 2014 në 6.4 miliardë euro në vitin 2024, sipas AKB-së, tregon varësi të thelluar nga tregjet e jashtme, çka përbën një kërcënim për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm.

AKB ngre pyetje të drejtpërdrejta për ASK:

Pse u zgjodh krahasimi me vitin 2014, dhe jo me vitin paraprak apo një periudhë pesëvjeçare më të zakonshme në analiza statistikore?

Pse nuk u ofrua kontekst i qartë për publikimin?

Kujt i shërben ky lloj prezantimi – qytetarëve apo interesave politike?

Kërkesa për kthim në profesionalizëm dhe transparencë

Aleanca Kosovare e Bizneseve i bën thirrje Agjencisë së Statistikave të Kosovës që të ndalojë përdorimin e statistikave për qëllime politike, dhe të rikthehet në rolin e saj si institucion i pavarur dhe profesional, duke publikuar të dhëna të plota, të paanshme dhe të dobishme për publikun dhe politikëbërësit.

“Kosova nuk ka nevojë për statistika të zbukuruara, por për politika konkrete që krijojnë vende pune, zhvillojnë sektorin privat dhe nxisin investime reale,” thuhet në fund të reagimit.

(Kosova Sot Online)