
'Ndarja e 100 eurove për studentët bie ndesh me ligjin'

Qeveria në detyrë në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për ndarjen e 100 eurove për studentët. Vendimi erdhi vetëm pesë ditë para zgjedhjeve lokale, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Eugen Cakolli nga KDI thotë se vlera financiare e masave të ndërmarra nga Qeveria në detyrë tashmë ka kaluar vlerën prej mbi 100 milionë eurosh gjë që nënkupton se ka tejkaluar kufijtë e vendimmarrjes administrative për “çështje rutinore apo të domosdoshme” që mund të marrë një qeveri në detyrë.
Ai thotë se me këtë ka hyrë në sferën e vendimeve me ndikim politik dhe elektoral dhe tha se ky vendim përbën “shembull të qartë të përdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale”.
“Ndarja e 100 eurove për studentë nga Qeveria në detyrë, ashtu si edhe masat e tjera financiare, nuk janë aktivitete të domosdoshme, as të parapara me buxhetin vjetor apo planin e punës (i cili as nuk është publik). Rrjedhimisht, vendimet bien ndesh me Ligjin për Qeverinë dhe kufizimet që ai parasheh për qeverinë në detyrë. Në total, vlera financiare e masave të ndërmarra nga Qeveria në detyrë tashmë ka kaluar vlerën prej mbi 100 milionë eurosh, që tejkalon kufijtë e vendimmarrjes administrative për “çështje rutinore apo të domosdoshme”, duke hyrë në sferën e vendimeve me ndikim politik dhe elektoral. Përtej aspektit ligjor, miratimi i këtyre masave vetëm pak ditë para zgjedhjeve lokale përbën shembull të qartë të përdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale”, ka shkruar ai.
Cakolli paralajmëroi se një veprim i tillë cenon garën e barabartë zgjedhore, duke krijuar avantazh të padrejtë për kandidatët e subjektit politik që udhëheq qeverinë dhe ndikon në sjelljen e votuesve, sidomos tek grupet e ndjeshme si studentët.
(Kosova Sot Online)