
Ushtria izraelite i ndalon disa anije të tjera me ndihma për Gazën

Disa anije të tjera, që po përpiqeshin të dërgonin ndihma në Gazën e rrënuar nga lufta, janë ndaluar nga forcat izraelite në ujërat ndërkombëtare të mërkurën, njoftoi koalicioni Flotila e Lirisë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Kjo është hera e dytë që Izraeli ndalon anije të tilla brenda kësaj jave.
Koalicioni Flotila e Lirisë (FFC) është rrjet ndërkombëtar i grupeve aktiviste propalestineze që organizon misione detare civile, me qëllim për ta thyer bllokadën e Izraelit ndaj Gazës dhe për të dërguar ndihma humanitare për palestinezët në enklavë.
Ministria e Jashtme e Izraelit tha në X se anijet dhe udhëtarët e tyre janë të sigurt dhe se ata janë dërguar në një port izraelit, nga ku pritet të dëbohen menjëherë.
“Një tjetër përpjekje e kotë për ta shkelur bllokadën detare ligjore dhe për të hyrë në një zonë lufte, përfundoi pa rezultat”, tha Ministria izraelite.
Ky është incidenti i dytë i këtij lloji në ditët e fundit, pasi Izraeli kishte ndaluar rreth 40 anije dhe kishte arrestuar më shumë se 450 aktivistë në një tjetër konvoj ndihmash, Global Sumud Flotilla, i cili gjithashtu po përpiqej të dërgonte ndihma në Gazë.
FFC-ja tha se forcat izraelite “kanë rrëmbyer flotën humanitare”, duke shtuar se “anijet janë ndaluar në mënyrë të paligjshme… Pjesëmarrësit – humanitarë, mjekë dhe gazetarë nga e gjithë bota – janë marrë kundër vullnetit të tyre dhe po mbahen në kushte të panjohura”.
“Forcat ushtarake izraelite nuk kanë juridiksion ligjor mbi ujërat ndërkombëtare”, shtoi koalicioni.
“Flotilja jonë nuk paraqet asnjë rrezik”, tha ai.
Anijet bartnin ndihma me vlerë mbi 110.000 dollarë. Ndihmat përfshinin ilaçe, pajisje respiratore dhe furnizime ushqyese të destinuara për spitalet e Gazës, shtoi FFC në llogarinë e vet në Instagram.
(Kosova Sot Online)