Faruk Mujka nuk paraqitet në Gjykatë për 'keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar'

  • A.P /
  • 08 October 2025 - 10:15
Faruk Mujka nuk paraqitet në Gjykatë për 'keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar'

Sot, do të mbahej seanca fillestare për Faruk Mujkën dhe Hysen Muzliukajt, lidhur me akuzat “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” të ngritura nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Faruk Mujka akuzohet edhe për veprën “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”.

Ndonëse seanca pritej të fillonte nga ora 09:30, Faruk Mujka nuk është paraqitur në Gjykatë.

Në lidhje me ftesën për seancë, ka reaguar dje avokati i Faruk Mujkës, Ahmet Tahiri.

Përmes një postimi, Tahiri ka reaguar ashpër për mënyrën e njoftimit nga gjykata, duke thënë se si mbrojtës nuk ka pranuar ende asnjë ftesë zyrtare, por se për datën e seancës është informuar vetëm nga portalet.

“Gjykata paska caktuar seancën në rastin Mujka, këtë sigurisht e mësova jo nga gjykata, por nga mediat. Si mbrojtës, ende nuk kam parë asnjë ftesë zyrtare, por duket se tani rregullorja e re qenka: njoftimi përmes portaleve. Prandaj, duke ndjekur praktikën e vetë gjykatës, edhe unë publikisht, përmes mediave, e njoftoj se në këtë datë jam i zënë me një seancë tjetër dhe për pasojë nuk mund të marr pjesë. Shpresoj që ky status të konsiderohet si ‘njoftim zyrtar’. Po pres tash lajmet e orës 20:00 për ta ditur datën e radhës”, ka shkruar Tahiri.

Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Speciale, Mujka dhe Muzliukaj dyshohet se sa ishin zyrtarë të komunës së Mitrovicës së Jugut, i kanë shkaktuar dëm Agjencisë Kosovare të Privatizimit 125 mijë e 100 euro. Mujka ka qenë nënkryetar, ndërsa Muzliukaj drejtor i kadastrës në kohën kur Agim Bahtiri ishte kryetar komune.

“Të pandehurit akuzohen se, F.M., në pozitën e nënkryetarit të komunës së Mitrovicës së Jugut, dhe H.M., si Drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në të njëjtën komunë, me dashje dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për persona të tretë dhe në dëm të pronës publike. Sipas aktakuzës, më 25.04.2021, të pandehurit, duke qenë në dijeni se Kuvendi i Komunës kishte marrë dy herë vendim për shpalljen me interes të posaçëm publik të një prone të paluajtshme, i paraqitën po këtij Kuvendi një Propozim-Vendim për këmbimin e të njëjtës prone, duke e paraqitur atë si pronë komunale, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm prej 125,100.00 euro Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP)”, thuhet në aktakuzë.

(Kosova Sot Online)