Hapet aplikimi për subvencionimin e energjisë gjatë sezonit të dimrit

  • A.P /
  • 13 October 2025 - 20:10
Hapet aplikimi për subvencionimin e energjisë gjatë sezonit të dimrit

Ministria e Financave ka njoftuar se është hapur aplikimi për 'Programin për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm të energjisë elektrike 2025–2026, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Qytetarët mund të aplikojnë që nga sot përmes platformës eKosova për të përfituar subvencionim të energjisë gjatë sezonit të dimrit.

Sipas njoftimit, familjet që kanë aplikuar vitin e kaluar nuk kanë nevojë të riaplikojnë, pasi të dhënat e tyre janë bartur automatikisht për vitin 2025. Megjithatë, në rast se ka ndryshime në numrin e anëtarëve të familjes, vendbanimin apo njehsorin elektrik, ato mund të përditësohen përmes të njëjtit formular online.

“Nëse keni ndryshuar ndonjë informacion, mund ta përditësoni lehtësisht duke bërë ndryshimet në formular dhe duke klikuar 'Apliko'”, ka bërë të ditur Ministria në sqarimet e saj.

Ky program synon të mbështesë familjet më të cenueshme financiarisht për të përballuar më lehtë shpenzimet e energjisë elektrike gjatë muajve të ftohtë.

Kriteret kryesore për përfitim:

Të jeni shtetas të Republikës së Kosovës
Të ardhura deri në 150 € për anëtar
Pasuri të paluajtshme deri në 100,000 €

Aplikimi do të jetë i hapur për 6 muaj, por Ministria u bën thirrje aplikuesve të rinj dhe atyre me ndryshime në të dhëna që të aplikojnë brenda muajit tetor, pasi pagesat nuk do të realizohen në mënyrë retroaktive.

 

(Kosova Sot Online)