Presidenti indonezian i kërkoi Trumpit një nder

  • A.P /
  • 14 October 2025 - 14:45
Presidenti indonezian i kërkoi Trumpit një nder

Presidenti indonezian Prabowo Subianto i kërkoi  homologut të tij amerikan, Donald Trump nëse mund të takohej me djalin e tij Eric, ndërsa udhëheqësit u mblodhën në Egjipt për një samit kushtuar arritjes së paqes së qëndrueshme në Gaza, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Sipas Reuters, Prabowo, i pavetëdijshëm se mikrofoni ishte ndezur, foli me Trumpin dhe përmendi se situata në një zonë të caktuar ishte “e pasigurt për sa i përket sigurisë”. Më pas ai pyeti: “A mund të takohem me Erikun?”

Trump u përgjigj: “Do ta telefonoj Erikun. A duhet ta bëj këtë? Ai është djalë i mirë. Do ta telefonoj”, tha Trump

Eric Trump dhe vëllai i tij Donald Trump Jr. janë të dy nënkryetarë ekzekutivë të Organizatës Trump.

Nuk ishte e qartë nëse biseda i referohej Organizatës Trump, apo ndonjë marrëveshjeje biznesi të presidentit apo familjes së tij, por Organizata Trump hapi klubin e saj të parë të golfit në Indonezi në mars në partneritet me një kompani lokale.

Dy projekte të tjera në Indonezi janë njoftuar në faqen e tyre zyrtare të internetit, përfshirë një kompleks turistik në Bali.

Që kur u rikthye në pushtet, Trump është përballur me kritika në rritje për interesat e tij në biznes dhe akuza se po e përdor presidencën për përfitime personale, ndërsa konfliktet e mundshme të interesit pasqyrohen në perandorinë e tij të biznesit në rritje në të gjithë botën.

Përpara se të kthehej në Shtëpinë e Bardhë, Trump ua la drejtimin e biznesit të tij fëmijëve të tij, Eric dhe Donald Jr., duke thënë se nuk kishte asnjë rol në vendimmarrjen e përditshme. Marrëveshja është e ngjashme me atë që kishte në mandatin e tij të parë si president nga viti 2017 deri në vitin 2021, të cilën ekspertët e etikës e kanë thënë se ishte e pamjaftueshme për të parandaluar konfliktet e interesit.

Trump dhe Prabowo folën në vendpushimin egjiptian të Sharm el-Sheikh, menjëherë pasi Trump mbajti një fjalim para udhëheqësve botërorë të mbledhur në samit, ku ai njoftoi “paqen në Lindjen e Mesme”.


(Kosova Sot Online)