Aktakuzë ndaj avokatit Ahmet Tahiri pasi ia ndali të dëmtuarit mbi 309 mijë euro

  • A.P /
  • 15 October 2025 - 07:40
Aktakuzë ndaj avokatit Ahmet Tahiri pasi ia ndali të dëmtuarit mbi 309 mijë euro

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 10 tetor 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj avokatit Ahmet Tahiri duke e ngarkuar me veprën penale “Keqpërdorimi i besimit”. Tahiri akuzohet se përfitoi kundërligjshëm 309 mijë e 542 euro nga kompensimi i ndarë nga ministria për të dëmtuarin Xhabir Kajtazi, të cilin po e përfaqësonte në një procedurë të rritjes së vlerës së shpronësimit.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Ahmet Tahiri ngarkohet se me datë 7 prill 2025 në Prishtinë, me dashje i keqpërdorë autorizimet e tij me qëllim që vetes t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme në dëm të pasurisë së të dëmtuarit “Union’’ SH.P.K me pronar Xhabir Kajtazin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Tahiri, duke përfaqësuar interesat pasurore të të dëmtuarit, në cilësinë e përfaqësuesit të autorizuar ligjor – avokatit dhe personit që kishte detyrimin ligjor për të, pas marrëveshjes gojore me të dëmtuarin lidhur me shpërblimin për përfaqësim në procedurën e rritjes së vlerës së shpronësimit, përfiton kundërligjshëm një shumë të caktuar të hollash nga kompensimi i ndarë për të dëmtuarin nga ministria përkatëse, duke mos respektuar marrëveshjen fillestare, me ç’rast të dëmtuarit i shkakton dëm material në shkallë të madhe.

Me këto veprime, Tahiri ngarkohet me veprën penale “Keqpërdorimi i besimit” nga neni 330, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Prokurori i shtetit i ka propozuar Gjykatës që me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit kundër të pandehurit Tahiri, të ketë parasysh shkallën e lartë të dashjes së të pandehurit për kryerjen e veprës penale, cenimin e pasurisë, lartësinë e dëmit, faktin që vepra penale është kryer nga një avokat, si dhe rrethana të tjera që do të rrjedhin gjatë gjykimit.

Po ashtu, është propozuar që ndaj të pandehurit të shqiptohet edhe dënimi plotësues “Ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës”. Dhe se, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, analizimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri Tahiri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale që i vihet në barrë.

Në arsyetimin e aktakuzës thuhet se gjendja faktike vërtetohet nga deklarata e të dëmtuarit si dhe nga pohimi i të pandehurit se atë pjesë të të hollave e ka ndalur me pretendimin se i përkasin nga marrëveshja e tyre gojore.

Deklarimi i të dëmtuarit Xhabir Kajtazi në Prokurori: Avokati Tahiri nuk ma transferoi shumën prej 309 mijë e 542 euro

I dëmtuari Kajtazi në deklarimin e dhënë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë më 2 korrik 2025, në prezencë të avokatit Gëzim Kolgeci, ka deklaruar është pronar i kompanisë “Unioni” Sh.p.k dhe se me avokatin- tani të akuzuarin Tahiri kishin biseduar diku afërsisht rreth vitit 2024 për ta përfaqësuar në procedurë jokontestimore, me propozim të dhëndrit.

Sipas të dëmtuarit, ai ia dha autorizimin për përfaqësim avokatit Tahiri, duke u dakorduar verbalisht që shpenzimet e procedurës së përfaqësimit t’i paguajë sipas tarifës së avokatëve të Kosovës, përfshirë edhe përqindjen e përfundimit të procedurës, pa u precizuar vlera e përqindjes.

Në aktakuzë thuhet se Kajtazi deklaroi që pas përfundimit të procedurës gjyqësore, avokati Tahiri ishte lajmëruar në zyrën e tij, duke e njoftuar me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, por pa ia prezentuar vendimin fizikisht- vetëm e kishte dërguar të fotografuar në Viber.

Gjithnjë sipas deklarimeve të të dëmtuarit Kajtazi, më 3 dhjetor 2024 avokati Tahiri kishte kërkuar nga Gjykata që mjetet e aprovuara të kompensimit të barten në llogarinë e tij personale dhe jo të kompanisë. Tha se këtë e kishte pranuar në mirëbesim.

Sipas Kajtazit, Tahiri kishte pranuar nga Ministria në dy këste shumën totale prej 2 milionë e 547 mijë e 542 euro dhe se në llogarinë e kompanisë së Kajtazit, avokati i kishte transferuar shumën prej 2 milionë e 100 mijë euro. Aty thuhet se kur e kishte pyetur se pse iu transferua vetëm kjo shumë, i akuzuari Tahiri i kishte thënë se ende nuk është bërë transferi i këstit të dytë.

Në aktakuzë, përshkruhet se i dëmtuari tha se pritën deri në prill, e meqenëse kishte kaluar kohë e gjatë dhe nuk kishin asnjë informacion, i kishte kërkuar dhëndrit ta pyeste Tahirin se çfarë ka ndodhur, e që më pas ky i fundit kishte shkuar në zyrë dhe kishte pranuar se kësti i dytë është transferuar, por se 9-10 përqind i takojnë atij si avokat.

Më pastaj, i dëmtuari ka deklaruar se më 7 prill 2025, Ahmet Tahiri ia transferoi 138 mijë e 351 euro e 79 centë, por kishte mbetur pa u transferuar edhe shuma prej 309 mijë e 542 euro dhe se sipas tij, prej asaj dite e deri më sot këto para Tahiri nuk pranon t’ia transferojë.

Po ashtu, Kajtazi ka deklaruar se s’kishin marrëveshje të shkruar por vetëm verbale, dhe se dëshmitar i gjithë kësaj marrëveshje është dhëndri i tij, Besnik Shabani.

Dy ditë më pas (më 9 prill), thuhet se avokati Tahiri ia kishte dërguar në kompani dy fatura për shërbimet juridike, duke theksuar se nuk kanë nevojë t’i paguajnë sepse janë të paguara.

Deklarimi i të pandehurit Ahmet Tahiri në Prokurori: Pjesën që e ndala ishte nga kësti i dytë i ministrisë, ngase Kajtazi s’pranoi kompensimin me siç jemi dakorduar fillimisht

Sipas aktakuzës, avokati Tahiri më 2 korrik 2025 ka dhënë deklaratë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë në prezencë të avokatit Adrianit Ibrahimi. Aty ka thënë se me të dëmtuarin Kajtazi njihet nga viti 2013 në një bankë, ku ai kishte qenë praktikant, ndërsa Kajtazi aksionar.

Në aktakuzë thuhet se Tahiri ka treguar se me Kajtazin ka pasur disa bashkëpunime në cilësinë e përfaqësuesit të tij, por në rastin konkret ka ndodhur më 2024, kur vajza dhe dhëndri i Kajtazit i kishin kërkuar ndihmë juridike që ta përfaqësojë në disa raste- përfshirë edhe këtë ku po akuzohet tani.

Me Kajtazin, Tahiri ka thënë se janë dakorduar që ta përfaqësojë në disa raste kontestimore, jokontestimore përmbarimore, e penale, jo vetëm kompaninë e Kajtazit por edhe kompanitë e familjarëve të tij. Tha se marrëveshjet kanë qenë vetëm verbale, ngase ka menduar se me Kajtazin nuk do të ketë probleme shkaku i raportit shoqëror me familjarët e tij dhe faktin që asnjëherë nuk ka kërkuar avanc.

Sipas avokatit Tahiri, nga i dëmtuari dhe personat përgjegjës të dy kompanive tjera ka marrë autorizime për përfaqësim- përfshirë edhe për rastin konkret. Ai ka thënë që pas aprovimit të kërkesës për kompensim nga Ministria përkatëse, shuma e cila do t’i kompensohej Xhabir Kajtazit ishte 2 milionë e 540 mijë euro, por që sipas tij, nuk i kujtohet saktë shuma totale. Ka thënë se Ministria do të kompensonte një pjesë në fund të vitit 2024 në shumën prej 2 milionë e 100 mijë euro, kurse pjesa tjetë rreth 400 mijë euro- brenda afatit 60 ditor.

Në aktakuzë thuhet se avokati deklaroi që sipas marrëveshjes verbale me të dëmtuarin, mjetet monetare do të derdheshin në llogarinë zyrtare të biznesit “Tahiri & Partners” sh.p.k., ku ai është pronar me 100% të aksionit. Në atë xhirollogari, thuhet se ka qasje vetëm i pandehuri.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri ka thënë se pas pranimit të mjeteve monetare nga Ministria, nëpërmjet bankës ka transferuar shumën prej 2 milionë e 100 mijë euro në llogarinë e Kajtazit, konkretisht të kompanisë “Union” sh.p.k. Më pas, thuhet se pas transferimit të parë, Tahiri ka shkuar në zyrë të Kajtazit dhe ka kërkuar kompenismin për shërbimet juridike të ofruara- sipas marrëveshjes gojore (9% neto), plus të gjitha tatimet veçmas.


(Kosova Sot Online)