Ramadani: Loja politike, po e çon Kosovën në kolaps

  • A.P /
  • 16 October 2025 - 14:45
Ramadani: Loja politike, po e çon Kosovën në kolaps

Lista Serbe sërish ka dorëzuar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.Lidhur me për këtë eksperti i sigurisë, Burim Ramadani ka thënë se po bëhet një lojë politike e cila po e çon Kosovën në kolaps, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Madje sipas Ramadanit nëse vazhdohet në këtë situatë në një të ardhme të shkurt mund të rrezikohet edhe siguria kombëtare.

“Loja politike po e çon Kosovën në kolaps! Nëse eventualisht Gjykata Kushtetuese vendos masë të përkohshme, pas ankesës së Listës Serbe, atëherë gjasat janë që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen në pranverë 2026. Kjo përputhet si periudhë kohore me përfundimin e mandatit të Presidentes aktuale. Pra, atëherë kur Kosova mund të mos ketë asnjë institucion qendror funksional.  Alarmi i hershëm (qysh në korrik) për rrezikun e Kolapsit të shtetit do të prekte ndërgjegje kombëtare – po të ekzistonte një e tillë tek krerët e shtetit!  Sot, pothuajse kemi kolaps brenda-institucional; Nesër, rrezikohemi nga kolapsi buxhetor; Pasnesër, rrezikohet siguria publike e kombëtare”, ka shkruar Ramadani.

Ndërkaq sot Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ka konfirmuar se ka pranuar ankesë nga Lista Serbe, në lidhje me votimin e Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb.

Po ashtu më 16 tetor, Lista Serbe sërish ka dorëzuar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, duke pretenduar se janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e punës së Kuvendit, si dhe një aktgjykimi i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese.

(Kosova Sot Online)