Zelensky sot në SHBA në kërkim të raketave Tomahawk

  • A.P /
  • 17 October 2025 - 08:18
Zelensky sot në SHBA në kërkim të raketave Tomahawk

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të takohet me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump në Washington të premten, ndërsa Trump shqyrton nëse do ta pajisë Ukrainën me raketa Tomahawk të afta të godasin thellë në Rusi, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Takimi i tyre vjen një ditë pasi Trump tha se u bë “përparim i madh” gjatë një telefonate me Presidentin rus Vladimir Putin, me të cilët palët ranë dakord për bisedime ballë për ballë në Hungari.

Trump tha se telefonata, e para me Putinin që nga mesi i gushtit, ishte “shumë produktive”, duke shtuar se ekipet nga Uashingtoni dhe Moska do të takohen javën e ardhshme

Ndërsa Zelensky mbërriti në SHBA, vizita e tij e tretë që nga janari, ai tha se Moska po “nxitonte të rifillonte dialogun sapo të dëgjonte për Tomahawk-ët”.

Zelensky i ka bërë thirrje SHBA-së t’i sigurojë Ukrainës raketat e përparuara, të cilat kanë një rreze veprimi prej 2,500 km.

I pyetur më parë këtë javë nëse Trump po shqyrtonte dhënien e Tomahawk-ëve të Ukrainës, ai tha: “Do ta shohim… Mund ta bëj.”

Por i pyetur për të njëjtën perspektivë pas telefonatës së tij me Putinin, Trump tha se “nuk mund t’i shterojmë” rezervat amerikane të Tomahawk-ëve, duke shtuar se “edhe ne kemi nevojë për to…

Duke shkruar në platformën e tij Truth Social pas përfundimit të telefonatës së tij me Putinin, Trump tha se ai dhe presidenti rus “kaluan shumë kohë duke folur për Tregtinë midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara kur Lufta me Ukrainën të mbarojë”.

Ai tha se “këshilltarët e nivelit të lartë” nga të dy vendet do të takohen në një vend të paspecifikuar javën e ardhshme, me Sekretarin e Shtetit Marco Rubio që do të kryesojë delegacionin amerikan.

Trump tha gjithashtu se do ta informojë Zelenskyn mbi bisedimet e tij me Putinin të premten, duke shtuar: “Unë besoj se u bë përparim i madh me bisedën telefonike të sotme”.

Ai më vonë u tha gazetarëve se priste të takohej me Putinin në Hungari “brenda dy javësh”.

(Kosova Sot Online)