Berisha: PD dënon me forcën më të madhe dhunimin flagrant të ligjeve

  • A.P /
  • 17 October 2025 - 15:50
Berisha: PD dënon me forcën më të madhe dhunimin flagrant të ligjeve

Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ndërprerjen e mandatit të gjyqtares Sonila Bejtja, duke e cilësuar atë si një akt të paprecedentë dhe si provën më të qartë të kapjes së institucioneve të drejtësisë nga pushteti politik, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Në një deklaratë për mediat, kreu i PD-së, Sali Berisha, u shpreh se vendimi i djeshëm përbën “dhunimin më brutal të Kushtetutës, ligjeve të vendit dhe opinionit të Komisionit të Venecias”, duke e quajtur Gjykatën Kushtetuese “produktin më monstruoz të reformës sorosiane në drejtësi”.

Sipas tij, vendimi i marrë për largimin e gjyqtares Bejtja shënon “rënien e plotë të institucioneve kushtetuese dhe fundin e shtetit të së drejtës”, pasi gjykata ka shkelmuar ligjin e saj organik dhe ka vendosur në kundërshtim me çdo normë kushtetuese e ligjore.

Deklarata për media:

Ky akt dëshmon rënien e plotë të institucioneve të këtij vendi, rënien e plotë të Kushtetutës, rënien e plotë të ligjeve.
Kur një gjykatë shkelmon ligjin e vet, që nuk mund ta bëjë kurrë, por në qoftë se ata gjykatës vërtet kishin bindje se neni 84, pika 4 i ligjit të tyre, ishte i pavlerë, ata kishin çdo të drejtë t’i kërkonin ligjvënësit abrogimin e këtij ligji, amendimin e këtij ligji, por nuk kishin kurrë të drejtë ta shkelmonin atë.
Dhe këtë e bën në mënyrën më skandaloze institucioni kryesor, por që është një produkt monstruoz i reformës së Xhorxh Sorosit në Shqipëri.
Nuk mund të ketë as fjalë, as epitete për të përshkruar këtë skandal të paimagjinueshëm.
Dakord, ti mendon mor zotëri se mandati i kësaj zonje duhet të jetë 4-vjeçar, por ligji thotë se kjo praktikë ka marrë fund në vitin 2022 dhe ti ke qenë president.
Pse nuk kërkove ndryshimin apo nuk ka nevojë se parlamenti nuk ekziston, se vullneti i qytetarëve nuk ekziston?
Po kështu një intrigrant sa vetë intrigat, një njeri që ka lëshuar kthetrat mbi sistemin e drejtësisë si kurrë ndonjëherë më parë, Sadushi nisi procedura jashtë çdo lloj tagri ligjor dhe kushtetues.
Dhe tani e mbyllën këtë cikël me vendimin e djeshëm.
PD e denoncon dhe e dënon me forcën më të madhe këtë akt të papërgjegjshëm, këtë dëshmi flagrante të dhunimit të Kushtetutës, ligjeve të vendit, por edhe një opinioni të një institucioni të respektuar në Europë dhe në botë për ekspertizën e tij ligjore siç është Komisioni i Venecias.

(Kosova Sot Online)