Djali i themeluesit të Mango-s, i dyshuar për vrasjen e të atit

  • A.P /
  • 17 October 2025 - 16:05
Djali i themeluesit të Mango-s, i dyshuar për vrasjen e të atit

Dhjetë muaj pas vdekjes së themeluesit të rrjetit të veshjeve “Mango”, Isak Andic, mediat spanjolle raportojnë se policia po heton rastin si vrasje të qëllimshme, me djalin e tij si të dyshuarin kryesor, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

71-vjeçari ndërroi jetë në fund të vitit 2024, gjatë një ecjeje në malet Montserrat. Fillimisht u raportua se biznesmeni kishte pësuar një aksident tragjik gjatë një shëtitjeje familjare në vargmalin Montserrat në rajonin e Katalonjës, ku ra në një humnerë rreth 100 metra të thellë në një shteg që çonte nga shpellat e famshme Salnitre drejt Manastirit të Montserratit.

Por hetuesit e policisë katalanase, Mossos d’Esquadra, tashmë dyshojnë se vdekja e tij nuk ishte aksidentale dhe kanë vënë në shënjestër djalin e tij, Jonathan Andic.

Në momentin e rënies fatale të biznesmenit, Jonathan ishte afër. 44-vjeçari u tha hetuesve se kishte dëgjuar një zhurmë si gurë që rrëshqisnin pas tij dhe kur u kthye, kishte parë të atin duke rënë për vdekje. Megjithatë, sipas raportimeve, dëshmitë e tij kanë ngjallur dyshime te hetuesit.

“Dëshmitari e kundërshtoi veten, i la gjërat të paqarta dhe përshkroi ngjarje që nuk përputhen me gjetjet e hetimit të policisë”, thuhet në raport.

Dy deklaratat e tij – njëra menjëherë pas vdekjes së Andiçit dhe tjetra disa muaj më vonë – kanë dallime të mëdha. Për më tepër, partnerja e Andiçit, lojtarja profesioniste e golfit Estefania Knuth, ka theksuar “marrëdhënien e dobët midis babait dhe birit”. Sipas saj, ata ishin takuar ditën e vdekjes për të zgjidhur mosmarrëveshjet.

Isak Andiç lindi në Stamboll dhe, në moshën 14-vjeçare, u zhvendos me familjen në Barcelonë, ku më vonë themeloi kompaninë “Mango”. Kjo kompani u shndërrua në një nga rrjetet më të mëdha të veshjeve në Evropë dhe aktualisht operon rreth 2,800 dyqane në të gjithë botën.

Me një pasuri të vlerësuar nga revista “Forbes” në 4.5 miliardë dollarë (3.16 miliardë euro), Andiç ishte një nga njerëzit më të pasur në Spanjë dhe banori më i pasur i Katalonjës.

Djali i tij, Jonathan Andic, është aktualisht zëvendëskryetar i bordit të drejtorëve të “Mango Fashion Group” dhe kryetar i “Punta Na Holding”, që përfshin kompanitë e tjera të familjes dhe kontrollon 95 për qind të kapitalit aksionar të “Mango”-s. Ndërkohë, motrat e tij, Judith dhe Sarah Andic, mbajnë pozitat e zëvendëskryetareve.

(Kosova Sot Online)