
Kurti: Pasaporta e Kosovës më e fuqishme se kurrë më parë

Pasaporta e Republikës së Kosovës ka arritur renditjen më të lartë ndonjëherë në Indeksin vjetor të Pasaportave Henley, duke u ngjitur në vendin e 65-të në ranglistën botërore, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Sipas raportit të publikuar, Kosova ka shënuar një përparim të dukshëm krahasuar me vitet e kaluara – nga vendi i 108-të në vitin 2021, në të 68-in në vitin 2024, dhe tashmë në pozitën e 65-të për vitin 2025.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka cilësuar këtë rezultat si “më të mirin ndonjëherë” për pasaportën kosovare, duke theksuar se ky progres është dëshmi e forcimit të shtetësisë dhe e angazhimit të institucioneve për lëvizje të lirë të qytetarëve.
“Nga liberalizimi i vizave me zonën Shengen, e deri te puna intensive diplomatike me shumë shtete anekënd botës, ky rezultat tregon përkushtimin tonë për të fuqizuar Republikën e Kosovës,” ka shkruar Kurti.
Ai shtoi se pasaporta kosovare po bëhet gjithnjë e më e njohur ndërkombëtarisht, duke u mundësuar qytetarëve të udhëtojnë në më shumë vende pa viza dhe ta përfaqësojnë Kosovën me dinjitet.
(Kosova Sot Online)