Bastisje në Podujevë, gjenden disa armë

  • A.P /
  • 18 October 2025 - 14:00
Bastisje në Podujevë, gjenden disa armë

Një operacion policor është zhvilluar të premten në fshatin Brainë të Podujevës, ku njësitë e hetimeve të Stacionit Veriu – Prishtinë kanë zbarkuar për të arrestuar një person të kërkuar, por i dyshuari ka arritur të largohet nga vendi.

Rreth orës 12:50 të datës 17 tetor 2025, policia ishte në kërkim të Ibrahim Mujit (36 vjeç), ndaj të cilit ekziston një urdhër arrest aktiv. Gjatë kontrollit në lokacionin ku ai dyshohej se fshihej, njësitë policore kanë gjetur dhe sekuestruar: një armë të gjatë, një pistoletë Gardone cal. 7.65, katër karikatorë, dy thika, substancë të dyshuar narkotike (7.60 gramë), dy bluarëse (mulli) për përgatitje të lëndës narkotike, dy fishekë PK 9×19, pajisje për pastrim armësh, një brisk multifunksional, dhe kartë shëndeti gjermane (Gesundheitskarte) në emër të të dyshuarit.

Në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin armën zyrtare ndaj një qeni agresiv, për neutralizimin e rrezikut, me ç’rast është njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).

Prokurori kujdestar ka urdhëruar që ndaj Ibrahim Mujit të iniciohen procedurat penale për veprat:
“Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, dhe
“Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Rasti është nën hetime, ndërsa i dyshuari vazhdon të jetë në arrati.

(Kosova Sot Online)