Diaspora e dërgon Gjilanin drejt balotazhit

  • A.P /
  • 18 October 2025 - 17:17
Diaspora e dërgon Gjilanin drejt balotazhit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shtunën ka nisur publikimin e votave nga diaspora, atyre me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta. Në disa komuna veçse ka përfunduar procesi i numërimit të votave me postë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Në Gjilan nga votat e diasporës, Alban Hyseni i Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë 687 vota, ndërsa Arbër Ismajli i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka marrë 482 vota. Kjo komunë me shumë gjasë do të shkojë në balotazh, edhe pse Hyseni ishte shumë afër ta kryente në raundin e parë. Ka mbetur numërimi i votave me kusht dhe personave me nevoja të veçanta.

Sipas rezultateve preliminare, Hyseni në total, bashkë me votat e diasporës, ka 22.140 vota apo 49.84%, ndërsa Ismajli i LDK-së ka 15.245 vota apo 34.29%.

Numërimi i votave të diasporës ka përfunduar edhe në Junik e Dragash. Të dyja pritet të shkojnë në balotazh. Në Junik, gara do të jetë mes Ruzhdi Shehut të LDK-së dhe Agron Kuçit të AAK-së. Në Dragash, Bexhet Xheladini i LDK-së do të jetë përballë Shaban Shabanit të PDK-së. 


(Kosova Sot Online)