
Apeli i GJKKO-së rrëzon kërkesën e Erion Veliajt

Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për të shpallur të pavlefshme veprimet hetimore paraprake të kryera nga SPAK, duke lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Veliaj, përmes avokatëve të tij, kishte paraqitur më 18 gusht një kërkesë, ku argumentonte se SPAK kishte tejkaluar afatet hetimore dhe se prokurori Ols Dado ishte emëruar në mënyrë të paligjshme. Ai pretendonte gjithashtu se kallëzimi ndaj tij ishte bërë nga një person anonim dhe se nuk ishte verifikuar identiteti i kallëzuesit.
Në kërkesë, mbrojtja rendiste edhe shkelje të tjera, përfshirë përdorimin e të dhënave kompjuterike dhe korrespondencave private pa vendim gjykate, si dhe shmangien e afateve hetimore përmes regjistrimeve “pa emër”.
Veliaj, që ndodhet në paraburgim prej 10 shkurtit, vijon ndërkohë edhe betejën ligjore në Gjykatën Kushtetuese kundër vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij nga posti i kryebashkiakut të Tiranës.
(Kosova Sot Online)