
Moska thotë se s’ka plane për takimin Lavrov-Rubio

Takimi i paralajmëruar mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe atij rus, Vladimir Putin duket se nuk do të zhvillohet në kohë, pasi bisedimet përgatitore në mes të shefave të diplomacisë të të dyja shteteve kanë ngecur, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Rrjeti televiziv CNN ka raportuar më 21 tetor se bisedimet mes Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov janë shtyrë.
Në disa përgjigje, një zëvendësministër i Jashtëm rus ka thënë se takimi as nuk është planifikuar.
“Nuk mund të shtysh diçka për të cilën as nuk është arritur pajtueshmëri. Ne nuk e kemi konfirmuar atë për të cilën kanë shkruar disa burime perëndimore. Nuk kemi arritur pajtueshmëri sa i përket kohës apo lokacionit të një kontakti të tillë”, është cituar të ketë thënë ai për agjencinë ruse të lajmeve RIA Novosti.
Ideja e një samiti Trump-Putin në Budapest ka dalë pas një bisede telefonike të zhvilluar mes dy liderëve më 17 tetor.
FIllimisht kishte pritje që Rubio dhe Lavrov të takoheshin për t’i bërë përgatitjet para bisedimeve të mëdha.
Departamenti amerikan i Shtetit ka konfirmuar se Lavrov e ka zhvilluar një bisedë telefonike me Rubion më 20 tetor.
Ministria e Jashtme ruse i ka përshkruar diskutimet si “konstruktive”, derisa Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë përmes një deklarate se “Rubio e ka theksuar rëndësinë e angazhimit në ardhje, si mundësi për Moskën dhe Uashingtonin që të bashkëpunojnë për të arritur deri te përfundimi i luftës Rusi-Ukrainë, në linjë me pikëpamjet e Trumpit”.
Trump ka thënë më 20 tetor se përpjekjet për të arritur marrëveshje mes Rusisë dhe Ukrainës për përfundim të luftës, janë në proces e sipër, dhe ka paralajmëruar që nëse nuk arrihet marrëveshje, pasojat do të jenë serioze.
“Ne ende jemi në proces të arritjes së një marrëveshjeje për përfundim të luftës. Nëse e arrijmë këtë, do të jetë fantastike. Nëse jo, shumë njerëz do të paguajnë çmim të shtrenjtë”, ka thënë Trump gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin australian, Anthony Albanese.
Trump i ka rritur përpjekjet për të arritur armëpushim, meqë pas bisedës me Putinin, e ka zhvilluar edhe një takim me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë.
Në bisedimet me Zelenskyn nuk është arritur diçka e madhe.
Zelensky dhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian janë duke shprehur vazhdimisht dilema rreth gatishmërisë së Putinit për t’i dhënë fund luftës, dhe madje e kanë lëshuar edhe një deklaratë të përbashkët më 21 tetor.
“Taktikat bllokuese të Rusisë kanë treguar disa herë që Ukraina është pala e vetme serioze për paqe”, është thënë në deklaratën e nënshkruar nga Zelensky, kryeministri britanik, Keir Starmer, kancelari gjerman, Friedrich Merz, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, shefja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe të tjerë.
“Po e shohim të gjithë që Putini vazhdon të zgjedhë dhunën dhe shkatërrimin”, kanë thënë mes tjerash ata.
Pavarësisht kësaj, Zelensky ka thënë se është i gatshëm për të negociuar me Putinin dhe Trumpin në kryeqytetin hungarez, Budapest.
Hungaria, në anën tjetër, është duke bërë përgatitje për samitin. Ministri i saj i Jashtëm, Peter Szijjarto, ka thënë se do të udhëtojë në Uashington më 21 tetor, por nuk ka dhënë më shumë hollësi për takimin.
Burimet diplomatike i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se edhe shefi i NATO-s, Mark Rutte mund të udhëtojë drejt kryeqytetit amerikan më 22 tetor.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
(Kosova Sot Online)