
'Vijat e tanishme të frontit në Ukrainë duhet të jenë pikënisja për çfarëdo bisedimesh'

Udhëheqësit evropianë kanë thënë të martën se vijat e tanishme të frontit në Ukrainë duhet të jenë pikënisja për çfarëdo bisedimesh për paqe, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Kërkesa e tyre vjen teksa përgatitjet për një takim mes presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe atij të Rusisë, Vladimir Putin, duket se kanë hasur në pengesa.
Trump – i cili javën e kaluar foli në telefon me Putinin dhe u takua me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky – ka thënë se synon ta takojë liderin rus në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest, brenda dy javësh, si pjesë e përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Por, përgatitjet për takimin mes tyre duket se janë pezulluar, pasi një takim paraprak mes sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, është shtyrë.
Ky takim pritej të mbahej në Budapest të enjten.
Lavrov dhe Rubio folën në telefon të hënën. Zëvendësi i Lavrovit, Sergei Ryabkov, tha të martën se është ende herët për të folur për kohën e ndonjë takimi ballë për ballë mes tyre.
(Kosova Sot Online)